Aksidentet rrugore bien me 23% në janar 2026, shumica ndodhin pas orën 19:00

Muaji janar 2026 ka nisur me një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve rrugore në vend. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT, gjatë muajit të parë të vitit janë regjistruar 96 aksidente rrugore, ku 149 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur.

Krahasuar me janarin e vitit 2025, kur u regjistruan 125 aksidente, numri i ngjarjeve rrugore ka rënë me 23,2 %, duke sinjalizuar një përmirësim në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe numri i personave të aksidentuar ka rënë nga 174 në 149.

Të dhënat tregojnë se 85,4 % e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve, duke konfirmuar se faktori njerëzor mbetet shkaku kryesor i ngjarjeve rrugore në vend. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit, shpejtësia mbi normat e lejuara apo mosrespektimi i sinjalistikës vijojnë të jenë ndër arsyet kryesore.

Nga analiza sipas grup-moshave, rezulton se grupmosha 25–34 vjeç zë peshën më të madhe të aksidenteve, me 31,3% të totalit të regjistruar në janar. Kjo e bën këtë kategori më të ekspozuar ndaj rrezikut në rrugë.

Sipas ditëve të javës, numri më i lartë i aksidenteve është shënuar ditën e premte, me 21,9 % të totalit, ndërsa dita me më pak aksidente ka qenë e marta, me 6,3 %. Ndërkohë, intervali kohor 19:00–24:00 rezulton më problematiku, duke përbërë 24,0 % të aksidenteve mujore.

Në ndarjen sipas qarqeve, Tirana vijon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve, me 38 raste në janar 2026, nga 40 një vit më parë. Rritje është shënuar në Lezhë (nga 15 në 16 aksidente) dhe Kukës (nga 4 në 5), ndërsa rënie e fortë evidentohet në Fier (nga 12 në 3), Korçë (nga 13 në 5) dhe Shkodër (nga 9 në 2).

Edhe për sa i përket numrit të të vdekurve dhe të plagosurve sipas qarqeve, Tirana kryeson me 44 persona të aksidentuar në janar 2026, nga 50 një vit më parë, ndërsa Lezha shënon një rritje të ndjeshme, me 41 persona të aksidentuar nga 23 në janar 2025.

Rënia vjetore e aksidenteve për janarin përbën një sinjal pozitiv në nisje të vitit 2026, por pesha e lartë e aksidenteve të shkaktuara nga drejtuesit e mjeteve tregon se sfida kryesore mbetet forcimi i kulturës së sigurisë rrugore dhe zbatimi rigoroz i rregullave të qarkullimit. /ekofin.al