Një fenomen shqetësues po përhapet mes të rinjve shqiptarë: gjithnjë e më shumë prej tyre po shmangin konsultat mjekësore dhe po përdorin metoda kontraceptive bazuar në informacionet që gjejnë në internet apo nga ndikimet e shoqërisë.
Ky është alarmi që ngre Qendra Aleanca Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, e cila në një studim të fundit thekson se shumë të rinj marrin pilula kontraceptive apo kryejnë aborte pa u këshilluar me mjekë specialistë.
Sipas ekspertëve, interneti dhe rrjetet sociale po shndërrohen në burime kryesore të informacionit për shëndetin seksual, duke çuar shpesh në keqinformim dhe praktika të pasigurta për shëndetin riprodhues.
Përfaqësuesit e kësaj qendre theksojnë rëndësinë e përfshirjes së specialistëve të fushës në çdo diskutim mbi shëndetin riprodhues dhe legjislacionin përkatës.
“Është thelbësore që zëri i ekspertëve të dëgjohet, për të shmangur keqinformimin dhe për të mbrojtur shëndetin e të rinjve.”
Ekspertët kërkojnë që çdo ligj apo nismë e re në këtë fushë të shpjegohet me gjuhë të thjeshtë dhe të qartë për qytetarët, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe abuzimet nga rrymat konservatore.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.