Viktimë e atentatit të ndodhur sot pranë Aeroportit të Rinasit është Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. I plagosuri tjetër është me mbiemrin Muça. Makina luksoze e blinduar, ndaj të cilit u qëllua me breshëri plumbash është në pronësi të Elvis Kosovës, emër i njohur për autoritetet.
36-vjeçari Gilmando Dani, një personazh i njohur si mik i ngushtë i Emiljano Shullazit, ka një histori të gjatë të lidhur me ngjarje kriminale, që nga viti 2006. Ndaj tij rëndon një dënim me 12 vite burg për gjobëvënie, i dënuar në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi. I gjithë grupi i Shullazit u dënua me 55 vite burg në vitin 2018, ndërsa arrestimi ishte bërë i mundur në vitin 2016.
Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.
Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazi.
Duke qenë gjithnjë “nën hundën” e policisë, Dani është arrestuar shpesh për vepra penale. Më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale atë kohë, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin.
Në nëntor të 2011 Gilmandi Dani dhe Emiljano Shullazi arrestohet për armëmbajtje pa lejë. Në makinë është gjetur vetëm një pistoletë, ndërkohë që policia arrestoi dy persona, si Danin dhe Shullazin. Pas kësaj, Dani ka marrë autorësinë e pistoletës dhe se në gjykatë, Shullazi ka marrë pafajësi.
Sipas informacioneve precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për armëmbajtje pa leje dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.