Policia e Shtetit hap garën për pozicionet e larta drejtuese “Drejtor Departamenti” dhe “Drejtor Vendor i Policisë”, në kuadër të procesit të ri të konkurrimit dhe promovimit brenda strukturës.
Aplikimet do të jenë të hapura nga data 3 deri më 11 nëntor 2025, dhe mund të marrin pjesë punonjës të policisë me grada të rolit të mesëm drejtues.
Aplikuesit do të garojnë për drejtor policie në qarkun e Elbasanit për shkak të dorëheqjes nga detyra të drejtuesit Fatmir Hoxha. Si dhe për Drejtor policie në qarkun e Shkodrës, për shkak të shkarkimit nga ky post i Fatmir Lleshit për shkak të situatës së krijuar me prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.
Po ashtu, gara për aplikiesit u çel edhe për pozicionet “Drejtor Departamenti” në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe “Drejtor Departamenti” në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Njoftimi:
HAPET APLIKIMI PËR KONKURRIM PËR POZICIONIN “DREJTOR DEPARTAMENTI, NË POLICINË E SHTETIT” DHE PËR POZICIONIN “DREJTOR VENDOR I POLICISË, NË POLICINË E SHTETIT”
Mbështetur në pikën 1, pikën 2, germat “c” dhe “l” të nenit 55, si dhe në pikat 3 dhe 4 të nenit 61 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 641, datë 16.10.2024 “Për miratimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit, në Policinë e Shtetit”, si dhe në nenet 29-49 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 112, datë 24.02.2025 “Për miratimin e Rregullores së Policisë së Shtetit”, Policia e Shtetit shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për konkurrim për pozicionet “Drejtor Departamenti” dhe “Drejtor Vendor i Policisë”.
Me qëllim zhvillimin e një procesi vlerësimi objektiv, transparent dhe gjithëpërfshirës, si dhe nxitjen e konkurrencës profesionale dhe drejtuese në përzgjedhjen e kandidatëve që shfaqin aftësi, rezultate të larta, integritet moral dhe profesional për promovimin në detyrë të punonjësve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar hapjen e aplikimeve për konkurrim për pozicionet:
“Drejtor Departamenti” në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin;
“Drejtor Departamenti” në Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare;
“Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për shkak të dorëheqjes nga detyra të punonjësit të përzgjedhur për këtë funksion, me proces konkurrimi;
“Drejtor Vendor i Policisë” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, për shkak të shkarkimit nga detyra, më datë 10.07.2025, të drejtorit të përzgjedhur me proces konkurrimi.
Faza e aplikimeve do të jetë e hapur nga data 03.11.2025, ora 08:00, deri më datë 11.11.2025, ora 16:00.
Policia e Shtetit fton punonjësit e saj që mbajnë njërën nga gradat e rolit të mesëm drejtues, që të aplikojnë dhe të konkurrojnë për këto pozicione, duke i garantuar për një proces vlerësimi të drejtë, transparent dhe profesional.
 ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.
				 
			 
		 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					 
						
					