Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se po kryejnë riparime të asfaltit në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit. Për shkak të punimeve do të bllokohet qarkullimi në segmentet Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Sukth-Fllakë, Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit dhe mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit.
“Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH njofton se ka nisur zbatimin e projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike në segmentin rrugor Vorë-Ura e Dajlanit”.
Duke filluar nga 13.10.2025, do të ketë bllokim të qarkullimit në drejtimin Vorë-Durrës, përkatësisht në këto segmente: Vorë-Maminas, Maminas-Sukth, Sukth-Fllakë, Fllakë-Mbikalimi i Shkozetit, Mbikalimi i Shkozetit-Ura e Dajlanit.
Kohëzgjatja e punimeve: 1–2 ditë për çdo segment. Sugjerojmë të gjithë përdoruesit e kësaj rruge të përdorin rrugën alternative: Vorë-Maminas-Katër rrugët e Shijakut-Durrës. Pas përfundimit të punimeve në krahun Vorë-Durrës, do të vijojë puna edhe në krahun tjetër Ura e Dajlanit-Vorë, sipas të njëjtave segmente dhe kohëzgjatje. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj për këtë ndërhyrje”, njofton ARRSH.