Wednesday , August 20 2025

Tenton të djegë gruan me benzinë! Shifra alarmuese, 207 raste të dhunës në familje në një muaj

Një 42-vjeçar nga Tirana ka dhunuar dhe ka tentuar të djegë me benzinë bashkëshorten e tij, vetëm se ajo kishte bërë sherr me vjehrrën.

Burri i identifikuar si Alfred Llozhi u arrestua nga forcat e komisariatit nr 1 ndërsa gruaja u pajis me urdhër mbrojtje. Kjo është një ndër shumë episode të dhunës që përfundojnë në dyert e komisariateve.

Top Channel mëson se dhuna në familje ka qenë mjaft shqetësuese javët e fundit. Vetëm këtë korrik në të gjithë vendin janë 207 raste, me 228 autorë, nga të cilët 81 arrestuar e ndaluar, 131 në gjendje të lirë  dhe 16 në kërkim, raporton gazetarja Dorjana Bezat.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar 2672 raste të dhunës në familje, ku mbi një mijë prej tyre janë shënuar në kryeqytet. Prej këtyre, në 599 raste dhuna është ushtruar nga bashkëshortët, 105 raste nga ish-bashkëshortët, ndërsa pjesa tjetër nga shtetas në marrëdhënie të tjera familjare.

Denoncimet pasohen me urdhër mbrojtje të lëshuara nga gjykata për periudha të caktuara që variojnë nga një muaj deri në një vit por kjo nuk e ndal dhunën.

Ndërsa në shumë raste dhuna ndodh në heshtje, pa u denoncuar çka tregon se shifra real e këtij fenomeni mund të jetë edhe më e lartë.

Top Channel