Ekspozimi në diell dhe ujëra, qofshin këto dete e pishina, edhe gjatë këtij sezoni veror ka sjellë probleme të forta në lëkurë, aq sa rastet u janë drejtuar spitalit për ndihmë.
Mjekët e QSUT-së thonë se më prezente janë infeksionet bakteriale, virale dhe mykotike të lëkurës, më shpesh për shkak të pishinave.
“Gjatë verës janë shtuar infeksionet bakteriale dhe virale të lëkurës, sepse në temperaturat e larta ulet imuniteti i lëkurës, por përkeqësohen edhe sëmundjet kronike nga këto temperatura. Vërtet lëkura ka nevojë për rrezatim, por për një sasi të caktuar. Nëse kjo shtohet, imuniteti i lëkurës dhe sëmundjet e tjera ndikojnë në shëndetin e pacientit. Kjo përkeqëson situatën,” thotë dermatologia Etleva Jorgaqi.
Më probleme kanë pasur të sëmurët kronikë dhe ata me nishane në trup.
“Sëmundje të tjera të lëkurës përkeqësohen tek pacientët me sëmundje kronike. Mbivendosen infeksionet bakteriale ose të sëmurët me nishane apo karcinoma në lëkurë nga rrezatimet e gjata mund të përkeqësohen ose transformohen,” shton Dr. Jorgaqi.
Mjekët konstatojnë rritje të informacionit dhe ndërgjegjësimit në popullatë në lidhje me mbrojtjen e lëkurës në verë, por gjithsesi infeksionet për shkak të ambienteve dhe ujërave të ndotur janë të pashmangshme.