Një tjetër investim i përfunduar në fshatin Balldren të njësisë administrative Papërr. Bëhet fjalë për shtrimin e 1.5 km rrugë me asfalt e cila do t’i shërbejë 750 banorëve të fshatit Balldren.
Fundin e punimeve i ka parë nga afër kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, i cili gjatë një bashkëbisedimi me banorët e vuri theksin te premtimi që kishte bërë për rikonstruksionin e kësaj zone.
“Ky investim tani përfundoi, me një cilësi dhe një standart të mirë për t’i ardhur në shërbim të gjithë banorëve.
Ishte një kërkesë e kahershme e banorëve të Balldrenit që të shtrohej rruga kryesore e fshatit“, tha Llatja.
Sipas tij “janë edhe pjesë të tjera të rrugëve të brendshme, ku i gjithë fshati është urbanizuar gjatë këtyre viteve.
E rëndësishme është që premtimet që kemi dhënë po i mbajmë, të gjitha“.
Bashkia Elbasan ka nisur një sërë investimesh gjatë kësaj kohe, në ujësjellës, kanalizime të ujrave të zeza, në infrastrukturën rrugore. Sipas kryebashkiakut “kryesore patjetër janë edhe përmirësimi i infrastrukturës së lagjeve, nuk janë vetëm gjërat e mëdha.
Ne përvec gjërave të mëdha po i kushtojmë një vëmëndje të madhe edhe infrastrukturës sonë të lagjeve të brendshme”, tha ai. Balldreni është një fshat i madh dhe ndodhet shumë pranë zonës industriale me pallate të ndërtuara që në kohën kur u ndërtua ish-metalurgjiku në Elbasan.