A iu del shqiptarëve paga minimale dhe ç’ mund të blejnë me të, ja çfarë thotë Eurostat

Paga minimale në Shqipëri jo vetëm është më e ulëta në Europë (përveç Kosovës), por ajo vlen shumë më pak, nëse llogaritet se çfarë mund të blesh me të. Eurostat, krahas publikimit të pagës minimale në vlerë, jep edhe treguesin e pagës minimale, të matur sipas standardit të fuqisë blerëse.

Ndërsa diferenca me Bullgarinë (të dytën pas nesh) për pagën minimale në vlerë është rreth 17%, kur matet sipas standardit të fuqisë blerëse, hendeku thellohet ndjeshëm, sidomos me vendet e rajonit, të cilat rezultojnë se kanë një kosto jetese më të lire.

Standardi i fuqisë blerëse (PPS) është një njësi e përbashkët artificiale e monedhës referente, e përdorur në Bashkimin Europian, e cila eliminon dallimet e niveleve të çmimeve midis vendeve.

Pra, një PPS ju lejon të blini të njëjtin vëllim mallrash dhe shërbimesh në të gjitha vendet.

Teorikisht, një PPS mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend. Megjithatë, diferencat e çmimeve përtej kufijve nënkuptojnë se nevojiten sasi të ndryshme të njësive të monedhës kombëtare për të njëjtat mallra dhe shërbime në varësi të vendit. PPS përftohen duke pjesëtuar çdo agregat ekonomik të një vendi në monedhën kombëtare me barazinë e fuqisë blerëse të tij përkatëse.

Sipas Eurostat, paga minimale në Shqipëri, e matur sipas standardit të fuqisë blerëse është 365 PPS, ndërsa në Mal të Zi dhe Serbi, ky indikator është rreth 590-600 PPS, pothuajse dy herë më e lartë sesa në Shqipëri.

Koston më të lirë të jetesës në rajon e ka Maqedonia e Veriut, me PPS njësi, më shumë sesa dyfishi i Shqipërisë.

Në krahasim me shtetet e zhvilluara të Europës Perëndimore, fuqia blerëse e pagës minimale në Shqipëri është katër herë më e ulët, p.sh., në krahasim me Gjermaninë.

Edhe të dhëna të tjera tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime në Europë, në totalin e buxhetit, një tregues ky i nivelit të lartë të varfërisë.

Rreth 41% e shpenzimeve totale të një familjeje shqiptare shkojnë për ushqime dhe pije jo-alkoolike, një përqindje që është më e larta në rajon dhe në Europë, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen vitit 2019 dhe INSTAT për Shqipërinë.