Skuadra e Elbasanit vjen me moral të lartë në prag të sfidës së nesërme ndaj Egnatias, që do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 19:00.
Verdheblutë kanë marrë vendin e parë në renditje, edhe pse me pikë të barabarta me Vllazninë dhe tashmë objektivi është i qartë: të mos e lëshojnë më kreun deri në fund të sezonit. Forma e mirë e javëve të fundit ka rritur ndjeshëm besimin në kampin elbasanas, ku skuadra ka treguar stabilitet në rezultate dhe një rritje të dukshme në lojë. Përballja ndaj Egnatias shihet si një provë force për të konfirmuar ambiciet reale për titull. Një fitore në këtë duel do të kishte peshë të dyfishtë: nga njëra anë do të konsolidonte vendin e parë, ndërsa nga ana tjetër do të dobësonte një rival direkt, duke e nxjerrë nga gara ose duke ia bërë shumë të vështirë rikthimin në luftë për kreun.
Trajneri Gvozdenoviç ka punuar gjatë gjithë javës për të mbajtur ekipin të fokusuar dhe për të shmangur çdo lloj euforieje, duke e konsideruar këtë ndeshje si një nga më delikatet e sezonit. Ai kërkon maksimalen nga skuadra e tij, sidomos në aspektin e përqendrimit dhe menaxhimit të presionit, pasi çdo gabim në këtë fazë mund të rezultojë vendimtar. Faktori fushë pritet të luajë një rol të rëndësishëm, me tifozët që pritet të jenë të shumtë në stadium për të mbështetur ekipin në këtë përballje kyçe. Mbështetja e tyre mund të jetë një shtysë shtesë për verdheblutë, të cilët synojnë ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë avantazh për të marrë tri pikët.
DËMTIMET – Megjithatë, ajo që shqetëson më shumë trajnerin Gvozdenoviç para këtij takimi dhe për vazhdimësinë e sezonit janë mungesat e rëndësishme për shkak dëmtimi, të cilat kanë prekur disa nga lojtarët kyç të skuadrës. Fillimisht, portieri Martin Janaçek pësoi një dëmtim serioz në shpatull gjatë ndeshjes në Vlorë. Gjendja e tij mbetet e paqartë dhe nuk ka ende një afat të saktë rikuperimi, ndërsa ekziston frika se ai mund ta ketë mbyllur para kohe sezonin. Po aq problematike është edhe mungesa e kapitenit Bruno Lulaj, i cili vuan nga një dëmtim në brinjë, të pësuar në sfidën ndaj Tiranës. Ky konsiderohet një dëmtim i rëndë dhe mund ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë, duke lënë një boshllëk të ndjeshëm në repartin mbrojtës dhe në aspektin e lidershipit në fushë. Për të dy këta lojtarë, shpresat janë të përqendruara te rikthimi eventual për fazën “Final 4”, por këto mbeten ende të vakëta.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.