Aksidenti me një viktimë në Gramsh, arrestohet drejtuesi i kamionit

Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin rrugor të ndodhur në aksin “Gramsh–Poroçan”, ku humbi jetën shtetasja Dëshira Hoxha, specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit të përfshirë në ngjarje.

Në pranga u vu shtetasi Shaban Kotorri, 38 vjeç, banues në Gramsh, i dyshuar për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me pasojë vdekjen.

Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit dhe pasagjerja Albana Boja, 39 vjeçe, e cila mbeti e dëmtuar nga aksidenti, ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.