U dogjën 2 makina në Elbasan. Detaje të reja nga ngjarja e rëndë.

Dy automjete janë përfshirë nga flakët në Elbasan.  Mësohet se ngjarja ka ndodhur në bulevardin e qytetit ndërsa dy automjetet ishin në pronësi të ish-kryetarit të Gjykatës së Elbasanit, Arben Vrioni dhe vajzës së tij. Gjithashtu bëhet e ditur se një prej automjeteve ka qenë i parkuar pranë banesës së ish-kryetarit Vrioni, ndërsa mësohet gjithashtu se dy automjetet kanë qenë të parkuara larg nga njëri-tjetri.

Dyshohet se kemi të bëjnë me një zjarrvënie të qëllimshme, duke marrë parasysh se automjetet ndodheshin larg.

Disa prej mediave bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës nëntë e pak të mbrëmjes. Dy automjetet raportohet të jenë shkrumbuar totalisht.

Edhe pse për shkak të karantinës kontrolli nëpër rrugë ka qenë i lartë, kjo nuk ka penguar që dy makinave t’u vihej flaka.

Mësohet se fillimisht është djegur automjeti në pronësi të vajzës, ndërsa pas sekonda më pas është djegur tjetri.

Edhe pse ndërhynë në kohë, zjarrfikësit e patën të pamundur që të kontrollonin flakët.

Arben Vrioni është ish-gjyqtar i Apelit në Durrës, i cili u shkarkua nga Vettingu më 22 nëntor të vitit të shkuar.