U diagnostikua me kancer, mësuesja nga Elbasani: Forcën e gjeta tek vajza 5 vjeçe

Fillimisht, ajo dalloi një masë në gjoks, për të cilën vendosi të këshillohej me një mjek duke menduar se ishte vetëm një infeksion, ajo u trajtua me antibiotikë, por 9 muaj më vonë, masa vazhdonte të ekzistonte në trupin e saj. Enida përshkruan të gjithë ngjarjen duke filluar nga momenti i parë kur pikasi se diçka nuk shkonte.

“E kujtoj mjaft mirë sepse është një moment që vërtet nuk do doja ta kujtoja por që është shumë i rëndësishëm në jetën time. Vija nga një periudhë e vështirë e jetës time, rreth dy vjet të vështirë të jetës time. Fëmijët ishin akoma të vegjël sepse unë jam nënë e dy vajzave, ishin shumë të vogla dhe gjatë kontrollit që besoj që të gjitha gratë e bëjnë, të gjirit,vura re që diçka  nuk shkonte me gjoksin tim. Fillimisht nuk doja t’ia pranoja vetes.”

E pyetur nga moderatorja se çfarë vuri re që nuk shkonte,mësuesja tha se kishte një kokërr e cila prekej me dorë ,por e neglizhovi për shkak të moshës së re të saj.

“Asnjëherë. Me të prekur këtë kokrrën disa ditë nuk ia pranoja vetes, vazhdoja e prekja më dukej herë që dukej, herë që s’dukej por që në fakt ajo ishte aty. Fola me mamin tim atëherë dhe vendosëm që të bënim një eko të gjirit në Elbasan. E bëmë ekon, doktori u shqetësua për momentin, bëmë një mamografi dhe vendosëm me doktorin që mund të ishte një kokërr që mund të shkonte me antibiotikë, mund të kalonte me antibiotikë se mund të ishte një infeksion. Në fakt nuk kaloi me antibiotikë dhe doktori, në Elbasan gjithmonë, mendoi që  është një modul, por që nuk është malinj, është beninj dhe vendosëm që ta mbanim çdo 3 muaj nën kontroll. Pas 9 muajsh,  doktori më thoshte që nuk është rritur, por në fakt unë e ndieja që është rritur.”

Në këtë moment, Enida, e shoqëruar nga bashkëshorti, iu drejtua Spitalit  Onkologjik në Tiranë, ku u fut urgjentisht në mamografi. Ajo u diagnostikua me kancer malinj dhe procedurat mjekësore ndryshonin asokohe. Mësuesja u fut menjëherë në operacion, ndërsa më pas iu nënshtrua kimioterapive dhe radioterapive, teksa gjithçka ishte krejt e re për të.

“Ishte momenti ndoshta më i keq i jetës time sepse duke qenë shumë e re isha krejt e painformuar për këtë sëmundje, nuk kishim raste  të tjera në familje, nuk kisha dëgjuar, nuk arrija që ta pranoja. Pësova një shok shumë të madh emocional dhe psikologjik.”

Enida foli dhe për vajzat e saj e cila u shpreh se pikërisht vajza e vogël asaj kohe 5-vjeçe ishte forca më e madhe  për të mposhtur këtë sëmundje:

“Ai ka qenë momenti, të them, më i keq, por më i fortë i jetës time sepse ishte pikërisht vajza ime e vogël e cila më dha forcën që unë të luftoja. Për një moment unë nuk pranoja as të luftoja, por duke qenë shumë e lidhur e vogla me mua, nuk ishim ndarë asnjë natë. Në momentin që unë duhet të rrija në spital, ajo nuk qetësohej në shtëpi që të flinte pa mua. Ka qenë momenti më i vështirë, por ajo më dha forcën, aty e gjeta forcën, pikërisht te vajza ime e vogël, edhe te e madhja, por ishte më e madhe, më ndihmonte, më kuptonte, e vogla nuk më kuptonte sepse një fëmijë në moshën e saj nuk mund të  kuptojë, vërtet nuk mund të kuptojë. Ajo që forca ime dhe unë thashë okej, nuk e dija si do shkonte se asnjë nuk e di si do shkojë me atë sëmundje, por thashë okej, unë do luftoj.”