T’i shpëtosh pandemisë së Koronavirusit: Pse të pasurit po kërkojnë nënshtetësi malazeze

Për shumë njerëz, pandemia e koronavirusit nënkuptoi më pak mundësi për të udhëtuar, por jo për familjet e pasura që po përdorin gjithnjë e më shumë mundësi të tjera për të kapërcyer kufijtë. Sipas CNN, pandemia fuqizoi së tepërmi një industri që njihet si “citizenship by investment” – që është marrja e një nënshtetësie me anë të investimeve në ekonominë e vendit pritës.

Kjo formë u jep ligjërisht shtetësinë këtyre njerëzve të pasur shumë më shpejt dhe më thjesht nëse i krahasojmë me procedurat tradicionale të imigracionit. Plani B i njerëzve të pasur është marrja e një nështetësie alternative. Një gjë e tillë u mundëson atyre më shumë liri veprimi ose më shumë qasje ndaj shërbimeve mjekësore, ndryshe nga vendet e origjinës, si për shembull ato të Lindjes.

Mali i Zi, së bashku me Qipron, është një nga shtetet e preferuara të të pasurve. Krahasuar me tremujorin e katër të vitit 2019, aplikimet për nënshtetësi në Malin e Zi u rritën me 142%, ndërsa në Qipro me 75%. Një interes në rritje është edhe ndaj Maltës dhe Bullgarisë.

Vende si Mali i zi dhe Qipro u japin këtyre miliarderëve mundësi të pakufizuar dhe liri zgjedhjeje në rajonet e Ballkanit dhe Bashkimit Europian.