“Takimi i Pasdites” të sfidosh mësimdhënien, mësuesja nga Elbasani: Bashkë me nxënësit dhe pse larg

Sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë fëmijëve po u rritet dëshira të lexojnë. Kjo për vetë faktin se duke qëndruar brenda si pasojë e COVID -19 i bën ata të arsyetojnë se sa më shumë dije, aq më shumë mirëqenie në të ardhmen e tyre.

Zyra Rajonale e Arsimit në Elbasan po kryen një punë shumë të mirë me të gjithë mësuesit, që edhe në shkollat e rrethit të Elbasanit të kryhet mësimi online.

Që në mëngjes e deri pas mesdite telefonat e prindërve të vogëlushëve “gumëzhijnë” nga zëri i mësueseve me fjalët “Mirëmëngjes apo mirëdita të dashur nxënës…!” dhe kështu mësimi vazhdon drejtpërsëdrejti virtualisht.

“Takimi i pasdites”, kështu ka menduar ta quajë takimin virtual mësuese Florenca.

Këto ditë të pazakonta kanë sjellë një sfidë për të gjithë. Kështu ka ndodhur dhe me mësuesit e padyshim dhe me nxënësit, të cilët të gjithë bashkë kanë bërë një kapërcim komunikimi nga ai i drejtpërdrejtë në bankat e shkollës, në atë virtual përmes rrjeteve sociale.

Padyshim që mbetet një mënyrë komunikimi ku përcillen njohuritë e reja në mësime por dhe më shumë afrimitet me nxënës të veçantë të cilët me anë të mesazheve nuk ngurrojnë të shprehin mendime, ndjesi të çuditshme në lidhje me rrezikun e virusit por dhe më tej.

“Më kanë bërë të ndjehem jo rrallëherë përballë emocioneve e përlotjes. Tashmë e kam kthyer në rutinë përshëndetjen me ta çdo mëngjes e çdo mbrëmje”, thotë mësuese Florenca, e cila ka një përvojë të gjatë pune si mësuese.

“Më duket sikur më presin në atë kutizën “magjike” për t’u njohur me temën e re, por dhe për të qenë bashkë dhe pse larg”.

Kështu kanë kaluar ditët e marsit të këtij viti për nxënësit e të V-B të shkollës “Qamil Guranjaku” në qytetin e Elbasanit.

Duke shpresuar që ditët e izolimit fizik të mbarojnë shpejt, mësuese Florenca nuk harron t’i kujtojë nxënësve të saj se të gjithë bashkë do ta mundim të keqen e shumë shpejt do shkëmbejmë buzëqeshje sy më sy e jo më virtualisht.