Sistemi i referimit nuk funksionon dhe të sëmurëve kronik në Elbasan u rŕezikohet jeta.

Sabri Gurakuqi nga Elbasani i sëmurë kronik me probleme kardiake ankohet në emisionin Fiks Fare se sistemi i mjekut të familjes nuk funksionon. Për këtë arsye i sëmuri e ka të pamundur të kryejë vizita tek mjeku specialist, duke qenë i detyruar të shkojë në urgjencë, ku dhe aty mungon mjeku specialist.

Qytetari na tregon se mjeku i familjes i ka thënë se planifikimi nuk mund të kryhet për shkak të situatës Covid-19. Njëkohësisht qytetari na rrëfen se në poliklinikën qendrore mund të vizitohesh kundrejt pagesës 1500 lekë. Për këtë arsye pacienti shprehet se kjo situatë nuk ka ardhur për të mbrojtur popullatën nga pandemia, por për të përfituar private, duke i detyruar që vizitat t’i kryejnë me pagesë. Qytetari kërkon ndihmën e Fiksit, pasi i ŕrezikohet jeta.

Gazetarët e emisionit Fiks Fare shkojnë në poliklinikën e specialistëve ku dhe konfirmuan që mjeku i familjes duhet të bëj rekomandimin për vizitën tek mjeku specialist, pasi sistemi funksionon ose në të kundërt vizita kryhet nëpërmjet pagesës 1.500 lekë. Gazetarët kërkojnë mjekun e familjes i cili kishte ndërruar turnin. Shkojnë sërish ditën e dytë dhe gazetarëve u thuhet se mjeku është me raport dhe nuk dihet se kur kthehet. Në këto kushte ata pyesin se pse nuk kryhen vizitat.

Mjekja që ndodhet në poliklinikë pohon duke treguar edhe me fakte se sistemi nuk funksiononte. Për këtë ajo u mundua të hynte në sistem në prezencën e gazetarëve të Fiksit, por pa rezultat. Kur gazetarët i tregojnë mjekes se në poliklinikë u thanë se sistemi punon ajo përgjigjet se “këtë e bëjnë për të sorollatur njerëzit”. Ajo shton se njerëzit duhet të ankohen, duke shkruajtur tek portali qeverisë.

Në këto kushte gazetarët iu drejtuan Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Elbasan për të marrë një përgjigje në lidhje me këtë situatë. Drejtori i kësaj njësie nuk pranon të japë intervistë, por u kërkon të lënë në institucion një kërkesë me shkrim dhe përgjigja e tij do jetë po me shkrim. Por pas këmbënguljes së gazetarëve ai pohon se faji nuk qëndron tek NJVKSH-ja, por tek Operatori i Kujdesit Shëndetësor Elbasan, i cili sipas drejtorit edhe pas vënies në dijeni për problemin nuk ka bërë asgjë.

Gjithashtu për të kërkuar përgjigje Fiksi Interesohet edhe pranë operatorit, ku drejtori i këtij institucioni mohon që të jetë vënë në dijeni nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor për problemin e mosfunksionimit të sistemit. Ai duke falenderuar emisionin Fiks Fare për ngritjen e këtyre shqetësimeve, do të kërkojë informacion më të plotë e më të detajuar në lidhje me këtë problematik për të parë se ku qëndron ngërçi i krijuar. Por nuk e përjashton faktin se me rënien e Covid 19 u pakësua numri i rekomandimeve të mjekëve./TopChannel/