“Shpërthejnë” rastet me Covid në Elbasan, krijohen tre vatra të reja.

9 raste të reja me koronavirus kanë shpërthyer në qytetin e Elbasanit në 24 orët e fundit. Sipas abcnews kemi të bëjmë me tre vatra të reja. Tre familje të cilat kanë nga tre apo katër anëtarë të infektuar. Raportohet po ashtu, se të infektuarit e kanë marrë virusin nga kontaktet e përditshme me persona të infektuar apo nga ambientet që kanë frekuentuar.

Në rank kombëtar numri i pacientëve me COVID-19 që po marrin trajtim tek “Shefqet Ndroqi” është rritur duke shënuar 193, ku 13 janë në terapi intensive dhe 4 të intubuar.  153 persona janë prekur me COVID gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 10255 numrin total. Lajmi i mire është se 130 persona janë shëruar, duke e çuar në total numrin në 6106, ndërsa raste aktive janë 3833.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje qytetarëve që të mos e ulin vigjilencën për asnjë moment, duke theksuar se rikthimi i nxënësve në shkolla dhe i punonjësve në punë me kapacitet të plotë e rrit rrezikun e përhapjes së infeksionit.