Shifrat e larta me covid, Rakacolli: A do të ketë rikthim të karantinës?

Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve dhe njëkohësisht zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se pavarësisht shifrave të larta të të infektuarve situata është nën kontroll dhe se nuk ka kthim pas me strategjinë e rihapjes. Pra vendi nuk i rikthehet karantinës, ndërsa për shkak të riskut të lartë që ka shërbimi i transportit publik, hapja e tij do të shtyhet dhe me një javë.

Transporti Publik ishte parashikuar të hapej të hënën më 15 qershor. Pas vlerësimit të situatës aktuale, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mos ketë kthim mbrapa, duke e vlerësuar situatën si të qëndrueshme, por për më shumë siguri, u vendos shtyrja e hapjes së transporti publik, si aktivitet me rrezikshmëri të lartë.

Rakacoli bën thirrje qytetarët por dhe bizneseve dhe që të respektojnë masat dhe distancën sociale, ndërsa shton se do të vijojë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intensivisht nëpërmjet inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë.

“Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve. Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilences, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme. Gjithsesi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situtën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.

Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike. Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri- tjerin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjenën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.

Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intensivisht nëpërmjet inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi si në fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses”, tha Rakacolli