Rritet bilanci i vdekjeve në Shqipëri! Covid-19, ndërron jetë tek Infektivi një 75-vjeçar

Është shënuar viktima e 17-të në Shqipëri nga Covid-19. Në spitalin Infektiv ka ndërruar jetë një pacient 75-vjeçar. Pacienti ka mbërritur në spital në gjendje të rëndë, teksa vuante nga post-hemorragjia cerebrale, diabeti dhe hipertensioni.

Pacienti me inicialet A.C., ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid19, ndërkohë që, gjendja e tij shëndetësore është rënduar në mënyrë të menjëhershme.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv për ta asistuar në kohë rekord, pacienti nuk ia ka dalë të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe u bën edhe një herë thirrje qytetarëve, që të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat e distancimit social dhe të izolimit, të cilat janë të domosdoshme për frenimin e përhapjes së COVID-19.