Rishikimi i buxhetit, Balla: Konfirmon stabilitetin financar dhe buxhetor të vendit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fjalën e tij nga foltorja e Parlamentit tha se rishikimi i buxhetit është një politikë e konfirmimit të stabilitetit financar dhe buxhetor të vendit.

“Nisur edhe nga reagime të opozitës lidhur me aktin normativ për buxhetin, dua të them që rishikimi i buxhetit është një politikë e konfirmimit të stabilitetit financar e buxhetor të vendit. Edhe në ekonomitë më të zhvilluara, në gjysmën e dytë të vitit, qeveria vendos të rishikojë buxhetin me qëllim rialokimin e të ardhurave”, tha Balla.

Sipas Ballës, Akti Normativ ka tre veçori kryesore:
‘Nuk ka ndryshim në të ardhura’, ‘Nuk prek shpenzimet e përgjithshmë të buxhetit’ si dhe ‘nuk prek as deficitin.

“Jemi në kushtet që niveli i defiçitit buxhetor mbetet në kushtet aq sa ishte parashikuar në fillim të vitit, ju nuk keni qenë në këtë sallë, por ata që ishin këtu para jush, kanë bërtitur, kanë qarë me arsyetimin se buxheti i vitit 2019 ishte një buxhet ku do të thellohej deficii. Aspak. Krahasuar me të gjitha vendet e rajonit, ky është defiçiti më stabël në krahasim me vendet e rajonit. Edhe bilanci primar fiskal vijon të jetë tregues pozitiv, madje me sufiçit. Për herë të parë pas 20 vitesh u kthye nga negativ në pozitiv. Ndaj kemi sot një akt normativ, përmes këtij akti rrisim financimin me 4 mld lekë për pushtetin vendor. Pas 30 qershorit ka një mirëadministrim të të ardhurave të pushtetit vendor. Kush ishte skeptik për 30 qershorin, edhe në të dhënat financiare tregon që ka një mirëardministrim të pushtetit vendor”, deklaroi Balla.