Reflektimi i Ermal Mamaqit në ditëlindjen më të trishtuar!

Meqë koronavirusi dhe vetë-izolimi na ka fshirë thuajse çdo lajm tjetër nga memoria, po ju kujtojmë që sot (21 mars) hymë në shenjën e Dashit dhe një prej tyre që “festoi” sot ditëlindjen ishte Ermal Mamaqi.

Mamaqi ndau me ndjekësit e Instagram-in eksperiencën e ditëlindjes “më të trishtuar” ndonjëherë. Në foton e publikuar shfaqen prindërit e tij në prag të derës dhe një tortë e lënë poshtë saj, në pamundësi për të festuar duke u përqafuar.

“Padyshim ditëlindja më e trishtuar. Sot paradite shkova tek shtëpia e prindërve dhe i lashë një tortë tek dera. Zbrita 10 shkallë dhe prita sa e hapën derën. I fola nga poshtë, filluan të qanin të dy. Unë prita sa të shkoj në makinë që të nxjerr lotët. Nuk di si t’jua them dhe tani që po shkruaj po më mbushen sytë me lotë. Si film dramatik. Dy minuta qëndruam ata në derë dhe unë poshtë shkallëve. Çudi e madhe, kemi qëndruar larg njëri tjetrit shumë herë më gjatë se kaq dhe s’ka qenë shumë problem, (të paktën nga unë), por sot ishte ndryshe. Donim të përqafoheshim dhe nuk mundeshim.

Ku i dihet, mund të jetë në trupat tanë dhe ja ngjisim njëri tjetrit. Nuk e dija që do jetonim këto kohë, por është mirë. Po ndjejmë sërish mall për njëri tjetrin. Po prekim ca dhoma të zemrës që ishin me pluhur dhe si gjithmonë po bëhemi pishman për idiotsitë që mërziteshim në kohë paqeje…Prapë jamë i lumtur. Po pres, është duke ardhur diçka shumë e mirë, mos harroni! Dhuratat vijnë përmes problemeve!”- përfundon Mamaqi.

Një reflektim i tillë duhet bërë jo vetëm ata që festojnë ditëlindjen në kohë të tilla, por të gjithë ne. Kthimi tek gjërat e thjeshta është shpëtimi i vetëm.