Rama thirrje fasonëve të rrisin pagat: Ku do i gjeni punonjësit, te vajzat e TikTokut?

Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një takim me sipërmarrësit privatë ku po diskutohet për rritjen e mëtejshme të pagave.

Kreu i qeverisë u bëri thirrje fasonëve për rritje pagash për punonjësit, si dhe të rrisin vlerësimin për këta të fundit. Rama tha se industria e fasonëve mendon se 40 mijë lekë janë shumë, por në fakt do të jetë shumë e vështirë për të zëvendësuar punonjëset që ju ka ardhur mosha e pensionit.

“Nëse sot ka një problem dramatik industria e fasonëve, nuk ka menduar për këtë ditë. Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ‘90 dhe ju kanë marr shpirtin, të shtunën të dielën në punë, duhet plotësuar kjo forcë punëtore, me kë do t’i zëvendësojnë, me vajzat e Tik Tokut, të vijnë vajzat në Kamëz, Paskuqan apo në Lezhë e Vlorë do marrin makinën qethëse. Do rrinë aty për 40 mijë lek? Dhe ju diskutoni se 40 mijë lek janë shumë se nuk i paguajmë dot. Sistemi duhet ndryshuar, duhet kaluar në Made in Albania, përndryshe jeni në rolin e atij gomarit që thoshte ‘o zot bëje ëndërr se ujku nuk është duke ngrënë’. Ujku ka filluar t’ju hajë, po e latë veten te pjata ka mbaruar kjo lojë. Nuk bëhet shtëpia me miell hua, ne nuk jemi në kushtet e Gjermanisë, ne kemi ku i gjejmë shqiptarët e rinj. Unë nuk po them vini rrogat e Gjermanisë por nëse ka paga kompesojnë bilancin e shpenzimeve, i keni këtu se s’kanë çfarë bëjnë atje. Shkoni shihni në Itali, gjenerata e re nuk mund të pajtohet me të njëjtat kushte. Ose do ta lëmë krizën t’i marrë me vete si një dallgë e madhe sipërmarrjet ose do e kthejmë në mundësi që nga kjo krizë të dalim shumë më të fortë. Po shikojmë një sistem të ri të pagave, është e vështirë por është o bëhet, o bëhet. Unë ju bëj thirrje sipërmarrjeve, nuk luhet me punonjësin. Ka ikur ajo kohë, punonjësi është më i rëndësishëm që vetura e re, se jahti, se vila tjetër në det se të garanton që këto ti kesh në vijim”- tha Rama ndër të tjera.