Rama: S’do japim më leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga minimale! E neveritshme që ka fitime marramendëse dhe…

Kryeministri Edi Rama ia ka bërë të qartë kompanive të ndërtimit që s’do i japë më leje nëse do të deklarojnë paga minimale. Sipas tij, është e neveritshme që ka fitime marramendëse ndërsa shfrytëzohen punëtorët.

“Një nga gjërat që do të bëjmë është që s’kemi për t’i dhënë leje ndërtimi e kontrata punësh publike kompanive që nuk kanë një pagë reale të sektorit të deklaruar. Si i paguan punonjësit? Ne nuk do të financojmë me paratë e shtetit shfrytëzimin e as do të japim leje ndërtimi për kompanitë që deklarojnë paga 40 mijë lekë. Kjo është për industritë prodhuese në këtë fazë. Deri në fund të mandatit do të shkojë 45 mijë lekë.

I kemi bërë hotelerisë çdo gjë, kemi krijuar kushtet më optimale që ka rajoni, me TVSH 6% kur ankohen që nuk kanë kamarierë, recepsionistë. Kur shikon pagën minimale, po kujt ja bëjnë këtë? Ja bëjnë vetes në fakt. Të gjithë sektorët ku është bërë analiza e pagave dhe e qartë si është realiteti, do tregojmë dhe pasqyrën e realitetit. Në këtë mënyrë futemi në ndërveprim pozitiv. Kompanitë e ndërtimit kanë sot referenca shumë të ulëta të shitjeve dhe realet i dimë se çfarë janë. Është e papranueshme, e neveritshme që nga një anë të bëhen fitime marramendëse e nga ana tjetër të vijojë shfrytëzimi i krahut të punës.

Në fund të ditës e dini shumë mirë kush është stacioni i fundit i jetës, kur të shkoni te Shën Pjetri do hiqni të zinjtë e ullirit se nuk e di si do i justifikoni fshehjet e pagave. Punoni edhe për atë ditë”, tha Rama.