Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Rinisë Elbasan, risi dhe larmi aktivitetesh në prag të festive. Flet drejtori Martin Kushi

Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Qendra Rinore, kanë nisur provat intensive, për realizimin e koncertit të madh festiv, në kuadër të festave te Pavarësisë së qytetit, si edhe 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kuadër, duke qenë se është edhe një vit i veçantë, 110 vjet Pavarësi, sektori i artit të kësaj qendre po kryen prova për të organizuar një koncert të mirëfilltë. Gjithashtu, fëmijët janë të angazhuar që deri në fund të vitit, nën drejtimin e inspektorëve të qendrës të përgatiten edhe për një sërë aktivitetesh të tjera si një pjesë teatrale për fëmijët, Festivalin e 35 të fëmijëve, kryesisht me pjesëmarrjen e fëmijëve të Qendrës Kulturore, por edhe koncerti i fundvitit ku parashikohet që të jetë një koncert me përmasa të mëdha sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve. Në këtë event nuk do të mungojë edhe shpërndarja e dhuratave për fëmijët të cilët janë të dalluar në mësime, një traditë e kahershme kjo që aplikon Bashkia Elbasan.

 “Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe qendra Rinore”, në Bashkinë Elbasan, që nga muaji shtator e në vijim, ka pasur një rritje të kërkesave të fëmijëve, por edhe të rinjve, të cilët kanë preferuar të ndjekin kurse të ndryshme që ofron kjo qendër.

 Sipas drejtorit të kësaj qendre të madhe në qytetet Martin Kushi, numeri i fëmijëve ka ardhur në rritje për shkak të shtimit të inspektorëve në fusha të ndryshme të artit, si edhe veglave muzikore.

Vlen të theksohet fakti se kjo qendër ka përmirësuar dukshëm kushtet për akomodimin sa më komod të fëmijëve  si edhe shtimit të veglave të artit, duke bërë kështu që prindërit ti çojnë fëmijët të ndjekin kurse të ndryshme në këtë qendër. Sipas Kushit “ndryshe nga vitet e tjera, ne nuk arritëm të bëjmë lajmërimet e përvitshme në shkollat 9- vjeçare, pasi sapo nisi sezoni, shumë fëmijë u paraqitën vetë në qendër, për të zgjedhur profilin ku ata mendojnë se janë të aftë artistikisht, si piano, pikturë, kitarë, valle, dhe jam i bindur se ne jemi të aftë ta përballojmë dhe të nxjerrim artistë në të ardhmen. Në të njejtin sinkron, ne kemi elementë konkretë edhe për rininë, si infrastruktura, instrumentra muzikorë, skenën, bibliotekën, dhe besoj shumë shpejt do të kemi edhe shumë gjëra të tjera konkrete. Sa i përket risisë, këtë vit ne kemi shtuar instrumentat si flauti, voiolina, kitaret, kursi IT, si edhe kurset e sportit, të cilat kanë shfaqur shumë interes”.

Kjo qendër prej vitesh ka pasur edhe bashkëpunime me OJF të ndryshme që janë ofruar me një sërë projektesh, ku qendra nuk mbyllet edhe fundjavave. Kjo qendër pret më shumë se 400 fëmijë në javë, një numër i cili ka ardhur në rritje nga viti i kaluar. “Ne jemi përpjekur të bëjmë edhe shumë kampionate në fushën e sportit si ai i hendbollit. Qendra bën 11 kampionate në vit, si hendbolli, basketbolli, futbolli, shahu, etj”.