Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar Elbasan ishte në një takim përshëndetës me Papa Franceskun.

Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar ishte në një takim përshëndetës me Papa Franceskun.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e komuniteteve fetare të Elbasanit, Myftiu Agim Duka dhe Dr. Arben Ramkaj nga Komuniteti Mysliman, Dom Dorian Mjeshtri, Dom Giusepe Testa, Sokol Lulgjuraj dhe Benjamin Brazel nga Komuniteti katolik, At Stavri Çipi nga Komuniteti ortodoks, Haxhi Baba Ardit Selmani nga Komuniteti Bektashi, Pastor Ilir Gjoni dhe Pastor Ilir Isaraj nga Komuniteti Ungjillor, si dhe përfaqësueset e departamentit të gruas në QBNF znj. Rudina Çollaku dhe znj. Genta Lulgjuraj.

Papa Francesku vlerësoi kontributin e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në promovimin e bashkëjetesës fetare si një model frymëzues jo vetëm për Elbasanin, por për të gjithë Shqipërinë.

Ndërkohë Kryetari i QBNF Dr. Arben Ramkaj i dhuroi Papa Franceskut xhamadanin e Elbasanit, i cili është simboli i qytetit të Elbasanit. Gjithashtu edhe drejtori ekzekutiv i QBNF z. Sokol Lulgjuraj i dhuroi Papës stemën e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar.

Bordi i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar falenderon kishën katolike të Elbasanit, z. Dorian Mjeshtri, z. Sokol Lulgjuraj dhe Nuncin apostolik në Tiranë Luigi Bonazzi për organizimin e këtij takimi të rëndësishëm me Papa Franceskun në kuadër të promovimit të “Marrëveshjes së vëllazërisë njerëzore” e cila është firmosur nga Imami Ahmed Tajib, myftiu i madh i Egjiptit dhe Papa Francesku në Abu Dhabi, në shkurt të vitit 2019.