“Pushtet Vendor-Shoqëri Civile”, Llatja merr pjesë në konferencën për vullnetarizmin e qëndrueshëm lokal

Në kuadër të konsortiumit “Pushtet Lokal-Shoqëri Civile”, PVN Albania organizoi Konferencën e dytë Kombëtare “Pushtet Vendor-Shoqëri Civile” për vullnetarizëm të qëndrueshëm lokal ku morën pjesë kryetarë, nënkryetarë, drejtues kabinetesh, koordinatorë të vullnetarizmit dhe administratës nga 8 bashkitë pilot, pjesë e kësaj iniciative.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja pohon se “kjo konferencë erdhi me risi në zgjerimin lokal ku secilës prej 8 bashkive pilot iu bashkuan aktorë lokalë strategjikë në nxitjen e vullnetarizmit lokal si: OSHC lokale, Zyra Vendore Arsimore; Shkolla të mesme, Universitete, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim; Qendra Rinore/Komunitare/ Multidisiplinare, institucione shëndetësore dhe prefektura”.

Në fokusin e kësaj konference ishte ndarja e modeleve të mira ndërkombëtare falë vizitës shumë të frytshme në Norvegji; modeleve rajonale falë bashkëpunimit dhe pjesëmarrjes së Regional Youth Cooperation Office – Ryco dhe atyre kombëtare falë kontributit të Lëviz Albania, si edhe diskutime, analiza rreth kuadrit ligjor dhe perspektivave në vijim.

“Kjo iniciativë vijon të jetë e qëndrueshme dhe vizionare falë bashkëpunimit gjithëpërfshirës ndërmjet aktorëve dhe veçanërisht angazhimit dhe vendosmërisë së bashkive”, tha Llatja.

Drejtoresha Ekzekutive e PVN Albania, Oltiana Rama theksoi se “ bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet institucioneve janë thelbi për përgatitjen e një terreni të qëndrueshëm, profesional dhe të sigurt për nxitjen e vullnetarizmit, derisa vullnetarizmi të bëhet mendësi dhe kulturë institucionale dhe individuale”.

Sekretarja e Përgjithshme e Kongresi Rinor Kombëtar, Dafina Peci theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së ketij bashkëpunimi dhe vijimin me hapa të qëndrueshëm të kësaj iniciative.

Bashkitë ritheksuan se ky ridimensionim i vullnetarizmit kërkon angazhimin e të gjithëve, dhe Bashkitë kanë rol kyç për të mbështetur çdo hap dhe të kenë rol proaktiv duke përgatitur terren të përshtatshëm brenda institucionit por edhe duke adresuar gjithë sfidat në mënyrë të përbashkët.

Ky konsortium ka lindur si nevojë dhe perspektivë e 17 viteve që PVN kontribuon në nxitjen e vullnetarizmit në vendin tonë. Që nga lançimi i kësaj iniciative më 8 shtator 2021, konsortiumi ka bërë një rrugëtim shumë interesant dhe me impakt, duke kryer një analizim të thelluar të situatës së vullnetarizmit në bashkitë pilot, ngritur struktura apo vendosur punonjës të dedikuar për vullnetarizmin, ofruar trajnime kapacitet-ndërtuese për punonjësit e angazhuar në këtë çështje dhe filluar punën për hartimin e planeve vendore të veprimit për vullnetarizmin.