Polici që punonte me bandat: Leonard Palushi, një ndër oficerët që ndodhej me nënkomisarin Saimir Hoxha kur u vra

Një efektiv policie ra në pranga në operacionin nga ku u evidentuan 8 grupe të rrezikshme kriminale, të shtrira kryesisht në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Ai është Leonard Palushi, efektiv në Policinë e Lezhës, ndërsa më herët ka qenë pjesë e strukturave në Policinë e Elbasanit. Sipas gazetares së Klan News, Glidona Daci, ai dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë, pikërisht gjatë kohës që punonte në Elbasan.

Zyrtarisht, kreu i Policisë së Shtetit Gledis Nano tha se efektivi akuzohet për shpërdorim detyre, por nuk dha detaje të tjera.

Emri i Palushit nuk është i panjohur. Kjo pasi ishte një prej kolegëve të nënkomisarit Saimir Hoxha, dhe ndodhej me të ditën kur Hoxha u vra nga Aldi Rama, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Lezhë.

Për zbulimin e këtyre grupeve kriminale, hetuesit tërhoqën dhe analizuan 18 dosje penale që datojnë që në vitin 2011. Hetimet vijojnë ende, ndërsa nga 32 urdhërarreste, janë ekzekutuar 18 prej tyre./tvklan.al