Përkeqësohet situata e COVID-19, ndërron jetë 59-vjeçari. 2 raste në qarkun e Elbasanit

Situata me koronavirusin në Shqipëri vazhdon të përkeqësohet, pasi në 24 orët e fundit janë shënuar 44 raste të reja, dy më shumë se një ditë më parë, ndërsa një 59-vjeçar nga Lushnja ka humbur jetën. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, rastet janë 22 në Tiranë, 6 në Krujë, nga 4 raste në Durrës, Kamëz, Shkodër, 2 raste në Lushnje dhe nga 1 rast në Vlorë dhe Elbasan. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve pozitive por edhe shume raste të reja që janë në hetim në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Gazetarja e Report TV, Doris Sallaku thotë se shumica janë raste kontakti të të infektuarve të mëparshëm në QSUT, që tashmë është kthyer në vatër infeksioni.

Sipas minsitrisë, “janë testuar 40 personel shëndetësor dhe kanë rezultuar pozitivë 9 prej tyre, të gjitha kontakte, ndërsa janë shëruar 21 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve mbi 1 mijë që nga fillimi i epidemisë”.

Pacienti nga Lushnja, i cili ka ndërruar jetë ishte i shtruar prej 6 ditësh në terapi intensive. 59-vjeçari vuante nga Kardiomiopati e dilatuar, sëmundje renale kronike, diabet mellitus, anemi. “Pas asistencës së madhe të stafit mjekësor në terapi intensive, 59 vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit”, thuhet në përditësimin e ministrisë së Shëndetësisë.

Çështje shqetësuese është edhe fakti se në spitalin Infektiv numri i të shtruarve po rritet. “Aktualisht janë 52 pacientë të shtruar, ndërsa 8 prej të shtruarve janë në terapi intensive. Në vendin tonë janë aktualisht 349 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë ku ka transmetime komunitare”, thotë ministria.

COVID-19 – Statistika (11 Qershor 2020)

Testime totale                         19562

Raste pozitive                          1385

Raste të shëruara                      1001

Raste Aktive                             349

35 jetë të humbura

Qarku Tiranë 21,

Durrës 6,

Fier 4,

Vlorë 1,

Shkodër 2,

Kukës 1

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive

Tiranë           211

Shkodër         42

Krujë             32

Kamëz            23

Durrës           16

Mat                 9

Lushnje           5

Tropojë          2

Korçë              1

Librazhd          1

Mallakastër     1

Lezhë                 1

Pukë                  1

Berat                    1

Ura Vajgurore    1

Vlorë                    1

Elbasan                1

Që prej lirimit të masave dhe hapjes së bizneseve shqiptarët nuk po respektojnë më masat, duke filluar që nga ministrja e Shëndetësisë, e cila në çdo dalje publike nuk mban maskë dhe doreza. Report TV ka bërë një vëzhgim në tregun e Kombinatit, ku qytetarët jo vetëm nuk zbatonin masat, por edhe tuneli dezinfektues që ishte vendosur në hyrje, tani është hequr.