Numërim elektronik në Elbasan: Teknologjia do nxjerrë rezultatin brenda ditës

Elbasani, një bashki e madhe për nga pesha politike do të jetë e para që do të nxjerrë rezultatin e votës së 14 majit. Zbatimi i votimit dhe numërimit elektronik do të mundësojë që fituesi i një prej bashkive me risk të lartë elektoral të shpallet një orë pas mbylljes së qendrave të votimit.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zbatuar votimin dhe numërimin elektronik vlerësohet nga kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja për garancinë që ai jep në saktësinë e rezultatit.

GLEDIAN LLATJA

KRYETAR I BASHKISE ELBASAN

Shmangia e çdo lloj dyshimi që ka çdo kandidati apo palë në procesin zgjedhor bëhet i mundur nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë. Ne presim që të kemi një zhvillim shumë të mirë, një proces shumë herë më të qetë dhe një gjithëpranueshmëri nga të gjitha palët për procesin zgjedhor.

 Nën frikën e ndërhyrjeve kibernetike, Gledian Llatja thotë se mundësia që të ndodhë është zero, pasi votimi dhe numërimi elektronik është i mbyllur, pra funksionon pa internet.

GLEDIAN LLATJA

KRYETAR I BASHKISE ELBASAN

Teknologjia e cila përdoret, në fakt ka disa lloje, por ajo që përdoret në rastin e zgjedhjeve që u përdor edhe në zgjedhjet e fundit, është një teknologji offline. Pra që jo domosdoshmërisht ka nevojë për internet. Kuptohet pajisja është e mbyllur, ka siguritë e veta, ka gjithë normat e sigurisë teknologjike që ofrohen por edhe fizike të zhvillimit të votimit, kështu që kjo jep një siguri maksimale për të gjithë.

Teknologjia do të përdoret për herë të parë në këto zgjedhje jo vetëm në Elbasan, por edhe në Kamëz. Por duket se vëmendja e Sali Berishës dhe Edi Ramës do të jenë nga Elbasani, aty ku parashikimet zgjedhore tregojnë një garë nën ethe mes kryebashkiakut në detyrë Gledian Llatja dhe kandidatit të propozuar nga opozita, Luçiano Boçi.

Ethet e shpalljes së menjëhershme të fituesve për bashkitë Elbasan dhe Kamëz kushtojnë 7 milionë euro. Qeveria vendosi të zgjidh qesen pasi KQZ-ja këmbënguli që votimi dhe numërimi elektronik mos të mbetej vetëm në bashkinë Vorë.

Në të dy proceset zgjedhore ku është zbatuar, vota elektronike ishte një sukses. Pritshmëria është e njëjtë edhe për garën e 14 majit ku votohet për kryetarin e bashkisë dhe për anëtarët e këshillit bashkiak.

Kjo do të jetë hera e parë që vullneti politik i 20 përqind të zgjedhësve do të numërohet elektronikisht duke dhënë kështu një perceptim të lehtë të qasjes së votës.