Nuk është me Covid; U tha se ishte rëndë në spital, i biri tregon gjendjen aktuale të Koço Devoles

Djali i aktorit të njohur të humorit, Koço Devole ka zbuluar si është gjendja e tij shëndetësore pasi përfundoi në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore. Aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe trupi i tij po reagon mirë ndaj ilaçeve. Sipas djalit, Devole është konfirmuar negativ ditën e djeshme por gjendja shëndetësore është rënduar si pasojë e sëmundjes së leucemisë që aktori vuante më herët.

“Për aq sa më kanë informuar, gjendja është stabël. Mjekët më thanë që në këto momente trupi po reagon mirë në këto momente. Mbrëmë morëm përgjigjen se ishte konfirmuar negativ për covid-19, ndërkohë që u rëndua për shkak të leucemisë dhe u pa e arsyeshme që ai të rikthehej në spital. Mjekët mendojnë se është shkak kjo sëmundje që ai u rëndua. Babai vendosi vetë të trajtohet tek Infektivi, se kishte shumë besim te mjekët shqiptarë. Komunikimet me mjekët janë të vazhdueshme të cilët kanë qenë shumë disponibël. Momentalisht është edhe motra në Tiranë, ndërkohë që mamaja është në SHBA. Nuk e dimë ende se sa kohë duhet që babai të përmirësohet”, tha i biri i Devoles për ‘Abc News’.

Bëhet me dije se Koço Devole, 77 vjeç vuan edhe nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, mes tyre edhe leucemia, të cilat e bëjnë edhe më shqetësuese situatën.

Ndërkohë ABC ka siguruar edhe një foto të aktorit brenda spitalit Infektiv në krah të mjekut infeksionist Pëllumb Pipero.

Koço Devole është një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse është një aktor i shkëlqyer humori, Devole është karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skene dhe ekrane janë nga më të njohurit për publikun shqiptar.