“Njerëzit po vdesin të izoluar në dhomat e spitalit,po vdesin e po varrosen në vetmi” gazetari shqiptar tregon tmerrin që po ndodh në Itali

Prej disa ditësh, gazetari shqiptar i “Le Iene” Taulant Kopliku ndodhet i izoluar bashkë me familjen në Milano ku jeton prej vitesh, një nga qytetet më të goditura nga pandemia e Coronavirusit në rajonin e Lombardisë. Në statuset e vazhdueshme në llogarinë e tij në Facebook, Taulanti shprehet se vetëizolimi është mënyra më e mirë për të mbrojtur veten dhe tjetrin, sikundër bën edhe shaka të tipit “Fëmijët në shpi, frigoriferi në rrezik.”

Por ditën e djeshme ajo që ka shkruar, ka prekur këdo dhe tregon më së miri si është situata në Itali, një nga shtetet që po përballet egër me të, që ditën e djeshme arriti shifra të frikshme ( ka shkuar në 1016 numri i të vdekurve dhe 12 mijë e 839 numri i të infektuarve nga të cilët 1153 në gjendje kritike për jetën.)

“Rrëfimet e orës së fundit të mjekëve dhe infermierëve të spitaleve italiane janë shokuese dhe të mbushura me dhimbje. Ata tregojnë për të moshuar që vdesin të izoluar në dhomat e spitalit, pa patur pranë asnjë të afërm për t’i dhënë përqafimin e fundit e duke kërkuar dëshpërimisht të shohin djemtë, vajzat dhe nipërit e tyre. Ata po vdesin në vetmi dhe po varrosen po ashtu në vetmi. Sot u kapërcye numri 1000 viktima. Çdo fjalë më shumë është e tepërt”, shkruan ai.