Nga Miranda Sadiku/ Dhe Normalja u bë realitet…113 vite më parë u çel në Elbasan e para shkollë e mesme shqipe

Me vendim të Kongresit të Elbasanit (aktivitet i rëndësishëm mbarëkombëtar, ngjarje e shënuar në historinë e arsimit), çeli dyert shkolla e parë e mesme shqipe “Normale”. Më datë 6 shtator të vitit 1909, kryesia e Kongresit të Elbasanit i dërgon një letër klubeve “Vllaznia”, “Bashkimi”, shoqërisë “Afërdita” për të zgjedhur “Kryesinë e Pleqërisë së Normales”. Më datë 7 shtator u zgjodh “Pleqësia kujdestare për shkollën e mësojve”, ku bënin pjesë tetë veta: Dervish Beu (kryetar) Hasan Ceka, Lef Nosi, Emin Haxhiademi, Dhimitër Buda, Petër Dodbiba, Dhimitër Paparisto e Ahmet Dakli.

Këshilli Mbikqyrës punoi pa reshtur për zgjedhjen e kuadrit mësonjës. Ai ftoi ajkën e inteligjencës përparimtare shqiptare, personalitete të shquara të kulturës dhe të atdhetarizmës, mësues të njohur si, Qamil Balën nga Gjilani, Bajo Topullin nga Gjirokastra, Aleksandër Xhuvanin nga Elbasani, si dhe Sotir Peçin nga Korça. Në Enciklopedinë e Elbasanit thuhet se, “më 21 tetor të vitit 1909, Këshilli Mbikqyrës jep një zëdhënije ku njoftohej se më 6 nëntor fillojnë regjistrimet. Sipas kësaj zëdhënije, regjistrimet do të zgjasin 10 ditë dhe në 16 nëntor do të fillojnë mësimet”.

Historiani Kujtim Bevapi shprehet se, “për arsye se personeli i shkollës erdhi më vonë se parashikimi, mësimi filloi dy javë pas datës së caktuar. Pas shumë përgatitjesh, të mbështetura nga i gjithë kombi, veçanërisht nga populli i Elbasanit, më 1 dhjetor 1909 u çel në Elbasan e para shkollë e mesme shqipe kombëtare në vendin tonë”. “Në vitin e parë shkollor 1909-1910, vijon mësuesi Shpëtim Haxhihyseni, shkolla “Normale” kishte 70 nxënës të brendshëm, (konviktorë) dhe më shumë se 70 të jashtëm. Që në fillim të regjistrimeve 25 djem dolën nga shkolla turke “Idadije” e Elbasanit dhe shkuan në “Normale”. Babai i Abedin Çaushit, atdhetar, elbasanasi Ali Çaushi, e quajti detyrë dhe vrapoi duke e regjistruar të parin djalin e tij në “Normale” me numër 1(një) amza e asaj shkolle, duke e hequr kështu djalin nga shkolla turke, ku ishte dhe në vitin e fundit të gjimnazit”.

Normalja në vite…

“Në vitin e parë shkollor, nxënësit ishin ndarë në katër klasa, një klasë e nivelit të shkollës fillore, për ato që do të mësonin shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe dhe tri klasa “premtore” që kishin mësime thuajse të një shkolle qytetëse.

Në këto vite dhanë mësim Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peçi, Petër Dodbiba, Hasan Mezja, Simon Shuteriqi, Dhimitër Paparisto etj. Pranë “Normales” u ngrit konvikti me 71 nxënës, të cilët ishin dhe me pagesë. Më 8 korrrik 1910 u organizua ceremonia e mbylljes së vitit të parë të “Normales”. Në këtë kremtim nxënësve që u dalluan në mësime iu dhanë gjithsej 24 çmime të para, e kështu me radhë. Për vitin 1910-1911 “Normalja” nuk funksionoi, sepse u mbyll nga xhonturqit. Ajo riçelet dhe fillon punë më 6 shtator 1913 deri në maj 1914. Gjatë Luftës së Parë Botërore “Normalja” përjetoi tre herë mbyllje dhe hapje të saj.

Ish-normalistë e atdhetarë të Elbasanit

“Normalja” e Elbasanit është shkolla e parë e këtij lloji dhe universiteti i parë shqiptar, që i dha kombit emër dhe dritë. I dha liri dhe dituri. Nga kjo shkollë kanë dalë figura të njohura jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga Shqipëria e Kosova. Një prej tyre ishte Emin Matraxhiu, gazetar, atdhetar, përparimtar dhe mësues. Mësimet e para i mori në shkollën fillore turke në Elbasan, e më pas “Idadije” (gjimnaz i ulët turk). Nga Hysen Ceka, atdhetar, mësoi fshehurazi gjuhën shqipe dhe pa mbushur ende 17-të vjeç ishte në radhët e protestuesve elbasanas për dëbimin e drejtuesit turk të qytetit.

Me hapjen e shkollës “Normale” ai, tok me shokë bojkotoi shkollën turke dhe regjistrohet në shkollën e sapohapur, ku ishte ndër normalistët e parë. Operacioni i Turkut Pashës e detyroi atë të shkojë në Manastir, e prej andej në Stamboll. Shpallja e Pavarësisë e gjeti në vendlindje, dhe Luigj Gurakuqi e thirri në Vlorë dhe i ngarkoi çeljen e kurseve të mësimit të gjuhës shqipe për nëpunësit e administratës shqiptare, fillimisht në Vlorë e më pas në Lushnjë. Ai bashkëpunoi mjaft ngushtë me Aqif Pashë Biçakçiun kundër ekspansionit shovinist. Në një mision të posaçëm ai kapet dhe dënohet me vdekje. Por, me ndërhyrjen e Simon Shuteriqit e Filip Papajanit, ai mundi të dalë nga burgu.

Ndonëse i sëmurë nga turbekulozi, ai punoi e nuk u lodh për çështjen kombëtare. Në vitin 1921 kur ishte drejtor i gazetës “Shkumini” atë e dënojnë për 23 ditë, ku nën presionin e intelektualëve, sidomos mikut të tij Avni Rustemit, e liruan, duke i hequr të drejtën e drejtimit të gazetës. Ky burgim i shkurtër i dha edhe goditjen përfundimtare të fizikut të tij, dhe ndonese miqtë e tij e dërguan për kurim në Napoli të Italisë, Emin Matraxhiu, nuk mundi të rrojë. Ai vdiq në fund të muajit mars të vitit 1922 në Bari të Italisë në moshën 31-vjeçare.

Historiani Kujtim Bevapi shton se,”ka edhe figura të tjera të njohura në Elbasan, si Sotir Paparisto, i cili për 20 vite dha lëndët pedagogji e psikologji, ndërsa veprimtaria e tij pedagogjike spikat në hartimin e teksteve shkollore në Ministrinë e Arsimit, Mehmet Daiu, një tjetër ish-normalist, i cili i përfundon studimet e larta në Institutin “ZH.ZH. Ruso” në Zvicër, që kthehet në Elbasan dhe jep mësim në shkollën “Normale” dhe “Ushtrimore”, Skënder Sejdini, përfundon “Normalen” në vitin 1928 dhe mbas 10 viteve punë si mësues fillon studimet e larta në Institutin “ZH.ZH.Ruso”, kthehet dhe drejton shkollën “Ushtrimore” në vitet 1942-1943.

Elbasani nuk do të ishte djep arsimi pa “Normalen” dhe kjo shkollë nuk do të ekzistonte pa elbasanasit e nderuar. “Normalja” pati jehonë brenda dhe jashtë vendit dhe shtypi i kohës e cilëson si shkollë të lartë (universitet). “Normalja” mbetet institucioni i parë për shumë dekada, për përgatitjen e mësuesve në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë. “Normalja” që sot feston 100-vjetorin, nuk mund të kuptohet pa kontributin e ish-drejtorit të saj

“Normalja” që sot feston 103-vjetorin, nuk mund të kuptohet pa kontributin e ish-drejtorit të saj

Aleksandër Xhuvani, njohës i visarit leksikor të shqipes

Shkolla “Normale” e Elbasanit që sot feston 100-vjetorin, nuk mund të kuptohet pa kontributin e drejtorit, Aleksandër Xhuvani, një figurë e nderuar e kulturës, gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, Mësues i Popullit, emrin e të cilit sot e mban Universiteti i Elbasanit. Veprimtaria e Xhuvanit nis në kohën e Rilindjes Kombëtare dhe arriti zhvillimin më të madh pas çlirimit. Si mendimtar i shquar, ai ka qenë edhe veprimtar i njohur shoqëror e politik.

Xhuvani dhe shkolla “Normale”

Aleksandër Xhuvani lindi në vitin 1880 dhe pasi përfundoi studimet e larta filologjike në Universitetin e Athinës në 1906, dha mësim në shkollën e parë të mesme kombëtare, “Normalen” e Elbasanit që nga dhjetori 1909. Me të lidhet historia dhe përparimi i shkollës, që ndihmoi në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, pasi për periudha të gjata kohe, Xhuvani ishte mësues dhe disa herë drejtor. Krahas tij, shkollën e kanë drejtuar edhe Luigj Gurakuqi e Sali Ceka, ndërsa pedagogët e parë të saj, ishin Sotir Peçi, Kostaq Çipo, Simon Shuteriqi, Kahreman Ylli, Qamil Guranjaku, etj. Veçanërisht Xhuvani dha kontribut të madh për krijimin e pasurimin e letërsisë mësimore, pajisi shkollën me një sërë tekstesh të gjuhës, letërsisë, pedagogjisë, etj., luftoi për një shkollë kombëtare e laike, përmirësimin e vijueshëm dhe ngritjen e mëtejshme të saj.

Deri në Kongresin e Lushnjes më 1920, “Normalja” e Elbasanit u mbyll dhe u hap 5 herë nga represionet e xhonturqve. Pas mbylljes së parë, Xhuvani shkoi në Kajro (Egjipt), më pas në Aleksandri dhe pas shpalljes së pavarësisë, rikthehet sërisht. Me rihapjen e “Normales”, punon si drejtor i kësaj shkolle në vitin shkollor 1913-1914.

Në 1918 bëhet nismëtar i krijimit në Elbasan të shoqërisë kulturore letrare “Qarku Letrar i Elbasanit”, në vitet 1920-1922 punoi në Ministrinë e Arsimit në Këshillin e Epërm Arsimor dhe më pas, sërisht nga viti 1922-1929 si drejtor i shkollës “Normale”.

Ndihmesë për “Fjalorin e gjuhës shqipe” (1954)

Ndihma e Xhuvanit për leksikologjinë shqipe dhe teorinë e praktikës së saj me shkrime e punime të ndryshme, artikuj e recensione, pasqyrohet në artikujt “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” (1934) “Çështja e fjalorit të gjuhës shqiptare” (1957). Ndihmesë të vyer u solli studimeve për letërsinë e sidomos për letërsinë e vjetër dhe arbëreshe me tekstet, antologjitë, artikujt e recensionet që botoi.

Aleksander Xhuvani punoi tërë jetën me dashuri e këmbëngulje për mëkëmbjen e përparimin e arsimit kombëtar, lëvrimin e gjuhës shqipe, kulturën shqiptare. Ai mbeti një figurë e rëndësishme edhe më pas, duke u zgjedhur anëtar i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1945), më tej deputet i Kuvendit Popullor në një sërë legjislaturash. Deri në fund të jetës, ishte nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor gjatë regjimit komunist.

U nda nga jeta ne vitin 1961. Plot 19 vite më pas, me 1980 u botua vëllimi i parë i Veprave të Aleksander Xhuvanit me 6 vëllime nën kujdesin e Akademisë së Shkencave, që mbetet një nga botimet e vlefshme për këdo që studion për gjuhën shqipe.

Veprimtaria e Aleksander Xhuvanit në fushat e arsimit dhe gjuhësisë

Pas çlirimit, Aleksandri dha ndihmesë në zhvillimin e arsimit (1946-1951), në organizimin e drejtimin e jetës shkencore si drejtues i seksionit te Gjuhës e të Letërsisë të Institutit të Studimeve, që më pas u quajt Instituti i Shkencave (janar 1947- shtator 1953) dhe si anëtar i Presidumit të tij (1947-1957). Krahas arsimit, fushë themelore për të ishte gjuhësia, për të cilën shtjelloi veprimtari sistematike, të shumanshme e të frytshme si lëvrues e studiues i gjuhës shqipe. Puna e tij shkencore u karakterizua nga një vështrim i qartë e objektiv i çështjeve, njohje e gjerë e gjuhës shqipe, strukturës gramatikore dhe leksikore të saj, në një luftë këmbëngulëse për një shqipe sa më të pastër, të pasur e të paqortueshme.

Herët, në një artikull botuar në revistën “Albania” e Konicës në 1905, Xhuvani shpreh mendimin e tij se, “gjuha e vetme letrare duhet të ketë bazat në dialektin e toskërishtes”. Ishte koha kur gjuha shqipe ishte në rrezik, ndërsa grekët e serbët nxitonin të hapnin shkolla të huaja në tokat shqiptare.

Shkrimet e tij kishin problematikat e kohës: gjuhën shqipe, shkollën, e arsimin kombëtar. Xhuvani punoi në fusha të ndryshme të gjuhësisë dhe dha ndikim të rëndësishëm në fushën e leksikografisë, leksikologjisë dhe studimin historik të gjuhës. Drejtoi hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimore, që zgjeruan gjithnjë e më shumë rrethin e çështjeve për njehsimin e plotë të drejtshkrimit të gjuhës shqipe më vonë.

Miranda Sadiku