Nga Kristiana Poroçani/Si të rindezim ekonominë e bllokuar shqiptare.

Nga Kristiana Poroçani

Shqipëria është një vend i vogël. Me një popullsi prej 2,845,955 banorë, fasha më e dendur e së cilës i përket moshës 20 deri në 29 vjeç e me një Nominal GDP per capita prej 5,373$, Shqipëria konsiderohet një prej vendeve më varfëra të Europës, të dhëna të cilat afirmohen nga kushdo, thjesht me një klikim në Google. Për të qenë e gjykuar drejt dhe në paanësi në mendimin tim, vlerësoj të prezantohem, sepse kjo ma lehtëson edhe ngjyrimin paksa emotiv që do të më rrëshqasë gjatë analizës, të cilën synoj ta bëj objektive.

Jam Kristi, jam 22 vjeç, studente e degës Ekonomi dhe Menaxhim në Libera Università di Bolzano. Në këto momente ndodhem në Itali, në pamundësi për t`u kthyer në Shqipëri pranë familjes time, për shkak të Pandemisë që paralizoi sistemet e lëvizjes internacionale. Në fakt, që në fillesën e gjithë kësaj, e influencuar nga fusha që studioj, por edhe nga shteti në të cilin po jetoj që prej katër vitesh, kam ndjekur me shumë vëmendje Bursën e Milanos dhe luhatjet e situatës ekonomike në të.

Pavarësisht kësaj, motivimi për këtë artikull ishte në të vërtetë një foto e jugut të Shqipërisë, të cilën një mikja ime ma kishte dërguar në rrjetet sociale duke shkruar nën të “Pushimet këtu këtë vit, sapo e gjithë kjo të mbarojë”. E pashë atë foto dhe mendova “Uou, sa i bukur është ky vendi im, të cilin unë pothuaj nuk e njoh fare”. Mirëpo, mendja funksionon si derivat dhe atëherë diçka tjetër filloi të më bluante idetë: po baret e vogla me tavolina e karrige plastike a do të jenë hapur këtë vit? Po me ato marketet ku shokët e mi blejnë birra për t’i pirë buzë detit ç’do bëhet?

Atëherë nisa kërkimet e përllogaritjet: sipas statistikave të Instat për vitin 2017, 99.8% e ndërmarrjeve aktive shqiptare janë biznese te vogla dhe të mesme, nga të cilat peshën më të madhe e zë sektori i tregtisë. 80.3% të të punësuarve në vendin tonë janë të punësuar pikërisht nga këto ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Por, a mundet një biznes me të tilla përmasa t’i mbijetojë një krize ekonomike, që sipas Forbes mund të rezultojë më agresive se ajo e vitit 2008?

Në analizat e bëra nga revista prestigjoze rezulton se ka një probablitiet të konsiderueshëm të mospagimit të kredive, qerave të dyqaneve dhe të banesave dhe gjithashtu në disa raste për dështim të pagimit të kredive automobilistike. Një tjetër problem konsiston gjithashtu në pamundësinë e përdorimit në kohën e duhur të aseteve afatshkutra si për shembull mallrat nëpër resorante, pastiçeri, bare, apo dhe mallrat me një datë skadence në markete.

Kështu analizën e nisa nga vetja duke u menduar ç’kam bërë e ç’duhet të bëj që unë, si qytetare e këtij vendi të ndihmoj në rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare. Me ide jo krejtësisht të qartësuara, hyra përsëri në rrjetet e mia sociale, por këtë herë në profilin tim për t`i bërë scroll të gjitha fotove të mia. Mua më pëlqen të udhëtoj, dhe vendos gjithmonë location në fotot e postuara në socials: Venecia, Barcelonë, Cannes, Berlin, Vilnius, Firenze, Nice, Milano dhe sa shumë qytete të tjera, por asnjë foto në Tiranë, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë. Pse jo? Pse ne kemi maninë të njohim botën kur akoma nuk njohim origjinën tonë, dhe pse ky fenomen duhet të ndryshojë pikërisht tani.

Bizneset e vogla po vuajnë që prej lindjes së Covid19 dhe një “muaj i keq” mund të shpërbëjë një aktivitet përgjithmonë duke ulur përqindjet e njerëzve të punësuar në ndërmarjet e vogla dhe të mesme. TI që tani më lexon, me shumë siguri je njëri nga ata.

Me shpresën se situata tragjike e momentit nuk do të zgjasë shumë, le të planifikojmë pushimet e verës duke përdorur filtrat, duke eleminuar atracionet e përtej kufijve, për t`i dhënë hapësirë mrekullive të vendit tonë. Nuk ka justifikime, ne kemi gjithçka: dy dete, male e kodra, liqene, natyrë të virgjër, fshatra si të ngrirë nga koha, qytete e gjysmëqytete, vende për shëtitje, ushqim të mrekullueshëm. Le ta njohim Shqipërinë: është vendi më i bukur i Ballkanit dhe një nga perlat e Europës. Sigurisht, nuk mund të fajsoj krejtësisht veten ose juve. Në Shqipëri mungojnë ose janë shumë pak efiçente insitucione vendase të cilave po u referohem me Info Point që kanë për detyrë të japin informacion mbi kulturën, historinë e vendit dhe pikat e “fshehura” turistike për të orientuar dhe koordinuar turistët, qofshin këta të huaj apo vendas.

Le të bëjmë roadtrips duke ndaluar në lokalet e vogla për të marë cappuccino dhe në minimarketet e lagjes për të blerë ujë. Me të drejtë ti mund të më pyesësh Pse kur shumë lehtë mund t’i drejtohesh qendrës më të aftër tregëtare që ofron full service. Zinxhiret e dyqaneve, sidomos hipermarketeve të cilat ndodhen në qendra tregëtare (dhe jo vetëm) janë too big to fail dhe kriza të tilla ekonomike nuk do të lëshojnë gjurmë aq sinjifikative sa tek bizneset e vogla të familjes. Për shembull, në një hark internactional, mendo për Starbucks dhe barin modest në cepin tjetër të rrugës: vlera e një macchiato që ti blen në Starbucks është krejtësisht e pakonsiderueshme për ta. Nga ana tjetër, vlera e të njëjtës kafe për barin e vogël ndikon ndjeshëm në ardhurat mujore të një familjeje. Tani, shumëzoje këtë macchiato me 50 dhe bëj kalkulime hipotetike!

 Duke parë Shqipërinë ne do të lëvizim, lëvizja do të ndihmojë qarkullimin e parave nga një cep i vendit në tjetrin. Bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për 9 muajt e parë të vitit 2019, shqiptarët kanë shpenzuar 1,2 miliard euro në udhëtimet e tyre jashtë vendit. Nëse këto para do të ishin shpenzuar në Shqipëri në harkun e 9 muajve, benifitet për bizneset e vogla dhe të mesme do të ishin kolosale. Të ardhurat mujore e taksapaguesve do të rriteshin ndjeshëm, dhe si hallkë e zinxhirit do të rritej dhe buxheti i shtetit i cili është në dispozicion të qytetarëve.

Le të investojmë tek NE, sepse, siç përmenda pak më parë, pjesa më e dendur e popullsisë varion nga 21-29 vjeç.

Duke mbështetur bizneset e vogla ne jo vetëm do të kujdesemi për mbarëvajtjen e ekonomisë por do të investojmë tek e ardhmja, pikërisht e këtyre 20 e pak vjeçarëve. Por e dini kush është pjesa me e bukur? Ne do njohim Shqipërinë, do postojmë fotot në Instagram dhe nepër rrjete te tjera sociale dhe bota do t’i shohë. Do t’i pëlqejë, sigurisht që do t’i pëlqejnë vendet dhe produktet tona vendase. Le të përdorim Instagramin si mjet marketingu për të rikthyer në jetë aktivitet tona të përditshme ekonomike të cilat Pandemia po i rrënon. Dhe, nëse ju i keni qejf fotot ashtu si unë, le të shkrepim ca të bukura fare nëpër vendet e mrekullushme të Shqipërisë. Deri atëherë, be safe and have a nice trip soon !

(Studente, Libera Università di Bolzano, Itali)