Nga e hëna mbyllet sheshi “Shqiponja”, ja cilat akse duhet të përdorni për të hyrë në kryeqytet

Punimet në nyjen “Shqiponja”, pjesë e projektit të Unazës së madhe të Tiranës, kanë hyrë në një fazë të rëndësishme. Për të përshpejtuar punimet në këtë fazë, në mënyrë që vepra të përfundojë në një kohë sa më të shpejt, duke nisur nga dita e hënë, 26 Tetor, do të ketë një riorientim të qarkullimit të automjeteve, të cilat hyjnë dhe dalin nga Tirana.  TDrejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, Drejtori i Policisë Rrugore për Tiranën, Erion Ahmeti dhe Drejtori i DPN2, Bashkia Tiranë, Herion Rrapaj prezantuan planin e menaxhimit të trafikut në nyjen “Shqiponja” .

“Drejtimi qarkullimit të mjeteve nga segmenti “Dritan Hoxha” për në rrugën “29 Nëntori” nuk do jetë më sipas rrethrrotullimit, në fazën 3 rrethrrotullimi hiqet. Do kemi një devijim të vogël në të djathtë në rrugën dytësore, të gjithë e njohin si Raiffeisen Bank. Është bërë mbushja në aksin kryesor të trupit të rrugës për të mundësuar këtë devijim të lehtë, në drejtim të rrugës “29 Nëntori”, që është dalja për në Durrës.

Për të gjithë ata që qarkullojnë nga drejtimi i Durrësit në drejtim të Tiranës do jetë i njëjti plan qarkullimi deri në sheshin “Shqiponja”, duke marr devijimin në të djathtë për pjesën e Pallatit me Shigjeta. Për ata që duan të aksesojnë rrugën “Dritan Hoxha” do aksesohen në semaforin e rrugës “Abedin Rexha” e cila të nxjerr në pjesën e zonës së Helikopterëve dhe me tre rrugët dytësore aksesohen në rrugën “Dritan Hoxha”. Qarkullimi i mjeteve nga rruga “Teodor Keko” për tek rruga “Dritan Hoxha” do bëhet po përmes rrugës “Abedin Rexha”. Pjesa e automjeteve që vjen nga Veri i vendit do të aksesohet nga ana e urës së Babrroit për të dyja drejtimet”, sqaroi drejtori ARRSH.

Për automjetet e emergjencave do të ketë një rrugë alternative, tha Verdho, teksa ju bëri thirrje drejtuesve të automjeteve që të aksesojnë rrugët alternative për të hyrë në Tiranë, siç është rruga Rrogozhinë-Elbasan-Tiranë ose rruga që kalon përmes Ndroqit.

Nga ana e tij, Drejtori i Policisë Rrugore për Tiranën, Erion Ahmeti, tha se janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake për të bërë të mundur menaxhimin e qarkullimit të automjeteve sipas grafikut të përgatitur. “Prej dy javësh është përgatitur plani i menaxhimit të trafikut. Është bërë e mundur që të gjitha arteriet në rrugët hyrëse dhe dalëse të Tiranës të inspektohen dhe të hidhen tek plani i menaxhimit të trafikut. Shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë ka marrë detyrimet së bashku me Policinë Bashkiake për të menaxhuar të gjithë degëzimet dhe kryqëzimet dhe për një rrjedhshmëri trafiku në hyrje dhe në dalje”, theksoi Ahmeti./living