“Nëse e marr koronavirusin do thonë…”/ Letra prekëse e vajzës shqiptare që është operuar nga zemra

Në këtë situatë që po e jetojmë të gjithë me frikë nga koronavirusi, duhet të kemi dyfish kujdes, veçanërisht ndaj atyre personave që mund të preken lehtë nga COVID-19.

Këtë thirrje ka bërë edhe Lora, një vajzë shqiptare me imunitet të dobët, që është operuar nga zemra dhe i duhet të marrë shpesh herë mjekime. Lora u bën një lutje publike të gjithëve që të bëjnë kujdes, të ruajnë veten dhe të tjerët

Vajza shprehet se është e padrejtë që personat e shëndetshëm të mos respektojnë rregullat e higjienës apo masat për mbrojtjen nga koronavirusi, vetëm sepse nuk kanë kaluar ndonjë sëmundje apo nuk i zë shpesh gripi.

Ajo tregon se është e rëndësishme që të qëndrosh larg atyre personave që kanë imunitet të dobët, kur e di që je me grip.

Letra e plotë:

“Nëse e marr koronavirusin do të jem një nga ata që të gjithë do të shkruajnë: Epo mirë Lora ishte e sëmurë. Unë jam një vajzë me imunitet të dobët dhe e gjykoj të padrejtë që ju të shëndetshmit të injoroni rregullat. Me qenë se ky virus i bekuar dëmton vetëm ata që kanë sistem imunitar të dobët, më lejoni që një prej atyre që është në rrezik t’u tregojë për këtë. Unë jam operuar nga zemra dhe më duhet të marr mjekime herë pas here edhe për një gërvishtje të vogël që më ndodh apo një grip normal imuniteti im bie përtokë, një gjendje e cila më bën të jem subjekt në rrezik në rast se Covid-19 më prek.

A e dini kush jemi ne me imunitet të dobët? Ne jemi ata që kemi përballuar kancerin, diabetin, sulme në zemër, ata që luftojnë me sëmundje degjenerative. Ne jemi ata që kemi luftuar ose jemi duke luftuar me betejën dhe unë e gjykoj të padrejtë që ju të shëndetshëm e të bukur si dielli, të shmangni të gjitha rregullat që mund të frenojnë pjesërisht problemin. Se nuk e kuptoni sa e rëndësishme është të na mbani distancë kur jeni me grip. Ju që ikni nga zona e kuqe nuk e kuptoni që jeta nuk rrotullohet gjithmonë rreth jush. Ju lutem ruhuni, nuk është shaka”.