Ndryshon ora policore, propozimi i Komitetit të Ekspertëve në prag të festave të fundvitit.

Nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për masat që do të merren në prag të festave të fundvitit, por pritet një mbledhje në fillim të javës, e cila do të raportojë situatën e Covid-19 në vend gjatë ditëve të fundit. Mësohet se deri tani, me gjithë rastet në rritje të të infektuarëve, situata vlerësohet si e qëndrueshme.

E vetmja pikë ku pritet të merret një vendim i ri është ora policore. Anëtarët e Komitetit Teknik kanë propozuar që të ulet ora policore nga 22:00 në 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Arsyeja e këtij ndryshimi vjen edhe për shkak të festave të fundvitit që pritet të krijojnë më shumë grumbullime të qytetarëve.

Vendimi pritet të merret nga anëtarët e Komitetit dhe të bëhet publik në fillim të javës. Mesatarja ditore e Covid-19 në Shqipëri shkon në afro 800 raste në ditë të infektuar të rinj dhe me një mesatare të numrit të viktimave që arrin në 14 në ditë.