Ndërtohet ura me lartë në Ballkan dhe ndodhet në…Shqipëri (FOTO)

Rruga e Arbrit po merr formë. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku inspektoi punimet në kantierin e ndërtimit. Ura e Vashës është një nga veprat e ndërtuara në këtë projekt, që sipas Ballukut është më e larta në Ballkan, 152 metra por rekordin e mban vetëm për disa muaj. Kjo sepse në pritje për t’u ndërtuar po në kuadër të kësaj rruge është edhe një tjetër urë, 157 metra, e cila do të jetë më e larta në Ballkan.

Gjithashtu kanë përfunduar 5 nga 6 tunelet. Ndërkohë që në tunelin e fundit do të ketë një ndryshim të projektit. Sipas kryeministrit shkak janë bërë formacionet gjeologjike dhe do të ecet paralelisht me një by-pass panoramik për të mos shtyrë afatin e hapjes së rrugës vitin e ardhshëm.

“Sot jemi në Urën e Vashës, më e larta në rajon, 152 m, tashmë thuajse e përfunduar, ndërkohë që janë hapur edhe 5 nga 6 tunelet dhe po punohet në tunelin kryesor të Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike do të ecet paralelisht me një by-pass panoramik për të mos shtyrë afatin e hapjes së rrugës vitin e ardhshëm” shkruan Rama.

Ndërsa inxhinierja shpjegoi se “Në tunel kemi vështirësi për shkak të gjeologjisë por po ecim paralelisht edhe me by-pass-in”.

“Ura e Vashës ka gjashtë harqe, është 316 metra, është e gjitha e përfunduar. Nga 70 km, janë përfunduar 5 tunele dhe më shumë se 54 km janë të përshkueshme. Gjatë muaj maj do të hedhim asfaltin. Jemi në mes të kontratës që parashikon 44 muaj punime.

Janë goxha të avancuara. Kemi pasur pak vonesë në javët e marsit pasi ndaluam punën, por me masat e sigurisë që u pajisën punëtorët. Distancat janë më të lehta për t’u ruajtur në kantiere” tha Balluku.