Mësuesja nga Elbasani: Mësuesit nuk janë google. Ata nuk dinë gjithçka, por…

Shkolla sot gjendet në udhëkryq dhe të gjithë e shohin me skepticizëm punën që bëhet nga mësuesit. Nuk mund të ndjehemi mirë kur dëgjon ndonjë person publik të thotë se “shkolla sot është copë-copë”. E kur i kërkon arsyet për shprehje kaq të forta, thotë: “Është mendimi im. Mendoj se është shumë dobët në raport me nevojat e vendit dhe standardin që njoh unë. E konstatoj këtë edhe si pedagog te studentet.” Në të vërtetë, për të kuptuar se çfarë shkolle kemi sot, do e shohim pas 20 vitesh, thuhet për të treguar rëndësinë që ka arsimi në të ardhmen e një vendi.

E sot? Çfarë thonë parashikimet e asaj që u mboll para 20-30 vitesh? Të gjithë shprehim pakënaqësi për kurrikulat, mësimdhënien, ndryshimet e shpeshta që i bëhet sistemit arsimor, ligje të rinj ngjitur mbi ata të vjetrit, e kështu me radhë. E në këtë zallamahi, figura e mësuesit ka pësuar ndryshime dhe ka humbur shkëlqimin e dikurshëm. Nuk shihet si model, nuk mendohet si i aftë profesionalisht krahasuar me mësuesin dikur apo siç quhej “prindi i dytë”. 

Në shkollën e sotme, gjërat në thelbin e tyre duket sikur nuk kanë ndryshuar shumë nga ajo e shumë viteve më parë. Nxënësit janë të përparuar e shumë shpejt ndjekin shembujt e të rinjve jashtë vendit, ndërsa ritmet e mësuesve janë më të ngadalshme; dhe pse ka ndryshuar komunikimi me nxënësin, zhvillimi i mësimit me nxënësin dhe interesat e tij në fokus, teknologjia dhe marrëdhënia me të etj. Gjithsesi, me gjithë këto ndryshime, a i kuptojmë ne dot ritmet e nxënësve? Ata janë shumë më të avancuar se ne me teknologjinë dhe kjo i largon në raport me mësuesit edhe një hap tjetër, përveç dallimit të brezave.

Duke qenë mësuese, bëj më lehtësisht krahasimin e mësuesit dje dhe sot. Kujtoj me respekt një pjesë të mirë të mësuesve të mi, por ashtu kujtoj edhe mësues që të kërkonin përmendsh pjesë nga libri, që të mbanin nën tension me rregulla të forta, që punonin dhe shpjegonin pa ndonjë bazë materiale kushediçë, që të vinin një 10 sot e një 4 nesër nëse ti vijë pa përgatitur, që të ngrinin në mësim po të të shikonin në shëtitje pasdite, që të bënin testime të paprogramuara etj., gjëra këto që nxënësit e brezit tim i kuptojnë shumë mirë.

E megjithatë unë kisha një respekt të jashtëzakonshëm për ta. Në shtëpi, kurrë prindërit e mi nuk përpiqeshin të fajtonin mësuesit për pakënaqësitë e mia apo për nota të ulëta, por ruanin para meje modelin e tij. Kisha një druajtje dhe i shihja si njerëzit më të ditur, se faktikisht ashtu ishin në atë fazë të jetës sime. Unë kisha nevojë për aq dije që të vazhdoja më tutje.

Ndërsa sot, me zhvillimet e teknologjisë, nxënësit tanë kanë ecur shumë përpara dhe kanë çdo gjë që u duhet në kohë reale përmes google-it. Sa herë shpjegoj mësimin, ruaj vetullat që ngrihen për diçka që ata mund ta konfrontojnë në internet. Sa herë që u kërkoj gjëra që duhet të mësojnë në lëndën time, ruaj sytë e tyre se mos thonë, “e ç’na duhen ne këto gjëra për nesër?!”. Sa herë që mundohem t’u them se libri është një botë e tërë që u hapet, ruaj se më përgjigjen “e sa pará do na sjellë nesër kjo gjë?”

E ja këto mendoj kur mundohem të jem mësuesi i nxënësve të mi sot, gjë që nuk është aspak e thjeshtë. Madje tani që shkruaj këto rreshta, ruaj se mos shoh vetullat e ngritura të prindërve që thonë: “e, po sot fëmijët janë më të zgjuar se dje, e më të zhvilluar…”

Mbase kanë të drejtë, pasi kjo është ajo që ata duan të besojnë, se çdo prind e dëshiron fëmijën të zotin për çdo gjë, dhe të jetë “më i miri i klasës”. Po fëmijët kanë nevojë të kalojnë fazat e jetës duke mësuar pak nga pak. Mësuesit në të gjitha rastet të mësojnë diçka të mirë. Dikush të ndihmon të memorizosh pjesë përmendësh (pasi kemi nevojë ta stërvisim trurin edhe në këtë gjë), dikush të ndihmon ta lexosh një tekst shumë bukur që në klasë (edhe pse mësuesi nuk ia shpjegon dot aq qartë), dikush i mëson thjesht diskutimin e një teme jashtë mësimit, dikush tjetër e vë forcërisht të mësojë gjithë etapet historike që nga fillimi i librit. Dhe për të gjithë këta shembuj më lart, thashë ato gjëra që dikur kanë bërë mësuesit e mi me mua.

Nëse prindërit e ndihmojnë fëmijën të ndërtojë para vetes modele të mira të mësuesve të ndryshëm, duke ia bërë të qartë që secili prej tyre i ofron ndihmën në diçka të mirë për të ecur në jetë, dhe mësuesit do ta kenë më të lehtë për t’i zhvilluar shëndetshëm njohuritë e nxënësve të tyre.

Mësuesit nuk janë google. Ata nuk dinë gjithçka, por ata dinë se çfarë u duhet në këtë moment të jetës nxënësve të tyre. Ata ndihmojnë nxënësit që të mbushin bazën e piramidës së dijes, për t’u ngjitur në pjesët më të larta të saj.  Nëse prindërit u flasin fëmijëve për nota dhe mesatare, shkolla ka humbur qëllimin e saj të vërtetë.

Vërtet ata nuk dinë t’i ndihmojnë se si të bëjnë shumë pará për nesër, por ata i ndihmojnë dhe i ballafaqojnë me të vërtetën. Fëmijëve u duhen çelësa që të hapin dyer të mbyllura që mos t’i shqyejnë ato.

 (Migena Kapllani; Portali Shkollor)