Manjola Nallbani heq dorë nga Festivali i RTSH-së, shpjegon arsyen e vendimit

Festivali i 59-të i Këngës nisi në Radio Televizionin Shqiptar. Faqja e RTSH-së ka njoftuar se në garë do të jenë 25 krijime muzikore, ndërsa fillimisht u prezantuan 26. Kjo pasi Manjola Nallbani është tërhequr nga gara. Në një prononcim për Anabel, këngëtarja ka konfirmuar lajmin dhe ka zbuluar arsyen pse mori këtë vendim.

“Unë jam tërhequr nga Festivali, sepse gjatë kohës që bëheshin prova dhe përgatitje nga konkurrentët e tjerë, unë kam qenë me Covid. Përveç kësaj, sepse tani jam më mirë, por kryesorja e tërheqjes nga gara është që Festivali do të mbahet jashtë në shesh dhe unë nuk mund të rrezikoj shëndetin përsëri në një kohë që jam duke u rikuperuar dhe duhet të kem kujdes”, -ka thënë Manjola.

Ndryshe nga çdo herë tjetër, këtë vit festivali do të mbahet në ambient të hapur, në sheshin Italia, si pasojë e pandemisë. 25 këngë do të jenë në garë për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Nata e dytë pritet të mbahet mbrëmjen tjeter, kur këngët do të prezantohen në një formë tjetër, akustike. Ndërsa nata finale do të mbahet më 23 dhjetor.