Kushi jep njoftimin e rëndësishëm dhe ka një apel: Duke nisur nga e hëna…

Duke nisur nga dita e hënë rihapen shkollat në arsimin parauniversitar. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi e cila ka falenderuar nxënësit, mësues dhe prindërit për mirëkuptimin dhe sakrificën e treguar gjatë kësaj jave.

“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër! Ju falenderoj pa masë për mirëkuptimin dhe sakrificën e treguar gjatë kësaj jave, në të cilën përveç situatës së rënduar nga pandemia e COVID-19, u shtuan edhe problematikat e një moti të acartë në të gjithë vendin. Dua t’ju informoj që nga dita e hënë, datë 22 shkurt 2021, të gjithë do t’i rikthehemi skenarit të mëparshëm. Pra, mësimi në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar, publik dhe jopublik, do të zhvillohet si më poshtë: nxënësit e ciklit fillor (klasa 1 – 5) në shkollë; – maturantët në shkollë; – dhe nxënësit e klasave 6 – 11 sipas skenarit të kombinuar”, bën të ditur Kushi.

Kushi ka theksuar se do të vijoj mësim online në bashkitë ku ka risk të lartë sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.

“Shkollat e mesme që ndodhen në zonat me risk të lartë (Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnjë, Pogradec dhe Kamëz) do të vazhdojnë “online” deri më datë 26 shkurt 2021, sipas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve”, tha Kushi.

Kushi shtoi se, “gjatë këtyre ditëve kam pasur shumë mesazhe prej jush, me shqetësime të ndryshme, disa që kërkojnë kthimin në shkollë e disa të tjerë që i tremben situatës së pandemisë. Dua t’ju siguroj edhe një herë të gjithëve që vendimet tona bazohen në prioritetin absolut për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”.

Ministrja Kushi gjithashtu bën apel për respektimin e masave antikovid brenda dhe jashtë shkollës.

“Duke shprehur edhe një herë mirënjohjen e thellë për durimin që keni treguar këto kohë, dua të përsëris apelin e fortë që të gjithë së bashku të tregohemi sa më të kujdesshëm në respektimin e të gjitha rregullave të përcaktuara, brenda e jashtë shkollës, sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë për të mos lejuar përhapjen e virusit”, apelon Kushi.