KQZ nuk regjistron Sali Berishën, Luçiano Boçi i detyruar të kandidojë me Partinë e Lirisë.

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi nuk e regjistroi Sali Berishën në koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Ky koalicion do të përbëhet nga tre partitë politike; Partia e Lirisë (PL), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe Partia Demokristiane (PDK).

“Jemi përballë të njëjtës situatë si përpara zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Regjistrojme koalicionin “Bashke Fitojmë”, por vetëm me pjesëmarrëse PL, PBDNJ dhe PDK”, theksoi Celibashi gjatë fjalës së tij.

Ndërkaq, më herët gjatë mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibajt në Partinë Demokratike, Indrit Sefa ka kundërshtuar përfshirjen e kësaj force politike, në koalicionin “Bashkë Fitojmë’, të Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Sefa u shpreh se marrëveshja është e paligjshme, sepse vula dhe logo e PD i përket grupimit të Alibeajt.

Ai i kërkoi Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që ta rrëzojë kërkesën për këtë koalicion.
Kjo situatë do të detyrojë kandidatin për Kryetar Bashkie në Elbasan të kandidojë nën siglën e Partisë së Lirisë që drejtohet nga Ilir Meta.