Imuniteti i Tufës/Studimi i Akademisë së Shkencave: Rreth 50% e popullsisë në Tiranë me antitrupa për Covid-19

Mëngjesin e kësaj të mërkure, Akademia e Shkencave nisi të prezantojë përmes një konference shtypi, rezultatet mbi fazën e dytë të studimit seroepidemiologjik për gjendjen e imunitetit të popullsisë në situatën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, sipas të dhënave prej depistimit. Rezultatet po paraqiten nga drejtuesit e projektit akademiku Genc Sulçebe dhe profesor Alban Ylli.

Mësohet se, nga ky studim është dalë në përfundimin se rreth 50% e popullsisë në Tiranë ka tashmë antitrupa për Covid-19. Kurse, në rang kombëtar, imuniteti për Covid-19 është rreth 25%

Më parë nga të njejtët ekspertë është thënë se imunitetit i tufës mund të arrihet nëse infektohen 50% deri 60% e popullsisë. Nga këto shifra vëmë re se Tirana e ka arritur këtë shifër çka mund të tregojë se infektimet ditore do të vahdojnë të ulen, ashtu siç edhe ka qenë trendi i ditëve të fundit.

Drejtuesit e projektit u shprehën se imuniteti në Shqipëri është relativisht i ulët dhe për këtë arsye duhet të kemi shumë kujdes. Po ashtu, ata thanë se deri më tani nuk ka të dhëna që versioni i ri i koronavirusit, që vjen nga Afrika e Jugut, ka vďekshmëri më të lartë.