I shërbeu besnikërisht për 40 vite komunitetit të tij, Covid-19 i merr jetën zyrtarit të Bashkisë

Veli Selim Dashi, një prej urbanistëve më të vjetër në detyrë në Bashkinë e Librazhdit ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Lajmin e ka bërë me dije vetë Bashkia e Librazhdit, në një njoftim në mediat sociale. “Sërish virusi tinzar godet rëndë Qytetin, Bashkinë tonë dhe më gjerë, duke ndarë përgjithmonë nga gjiri i familjes, nga administrata, nga rrethi i gjerë shoqëror e miqësor, njeriun, që për 40 vjet i dha komunitetit mundin, djersën, përkushtimin, idetë, vizionin për një qytet me perspektivë urbane dhe të bukur.”- shkruhet në njoftim.

Postimi i plotë:

Është shumë e rëndë, për mbarë Qytetin dhe Bashkinë tonë, humbja e njerit prej urbanistëve më të vjetër në detyrë, z.Veli Selim Dashi: ai, fatkeqësisht, nuk mundi ta fitojë betejën me Covid 19.

Sërisht virusi tinzar godet rëndë Qytetin, Bashkinë tonë dhe më gjerë, duke ndarë përgjithmonë nga gjiri i familjes, nga administrata, nga rrethi i gjerë shoqëror e miqësor, njeriun, që për 40 vjet i dha komunitetit mundin, djersën, përkushtimin, idetë, vizionin për një qytet me perspektivë urbane dhe të bukur.

U bë një kohë e gjatë që vdeķjen e kemi pranë: bashkëjetojmë me të. Kemi aplikuar protokolle, kemi përshtatur rregulla të vjetra, kemi konceptuar rregulla të reja në përputhje me situatën pandemike, duke qenë sa më të kujdesshëm dhe të mençur me armiķµn e padukshëm. Por u dashka të jemi më shumë të tillë, sepse Covid 19, si të gjitha pandemitë, qenka total, i verbër, i pamëshirshëm, si për rastin e të ndjerit Veli Selim Dashi, edhe për raste të tjera, që na dhembin aq shumë.

I ndjeri Veli Dashi do të na mungojë fizikisht, por ai do të mbetet i gjallë në kujtesën qytetare, si një urbanist dhe administrator i denjë, model i korrektësisë, përkushtimit dhe kujdesit në marrëdhënie me qytetarët.I përjetshëm qoftë kujtimi i tij…!