Hapja e shkollave në vend; Ja si do veprojnë nxënësit që të shmangin koronavirusin

Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë kanë lëshuar një udhëzues për mbarëvatjen e procesit mësimor në shkolla gjatë pandemisë së koronavirusit. Udhëzuesi që është miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve do të shërbejë për nxënësit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe kopshteve si dhe për prindërit. Sipas udhëzuesit, do të ketë grafik nga shkollat për hyrjen e nxënësve me orare dhe nën monitorimin e mësuesve kujdestarë.

 Nxënësit duhet të paraqiten me përpikmëri dhe kur hyjnë mbajnë radhë 2 metra nga njëri- tjetri. Kush shfaq simptoma lajmëron mësuesin kujdestar që me mjekun e shkollës apo familjes verifikon nëse ka COVID-19 apo jo.

Po ashtu pas futjes së të gjithë nxënësve, dera e shkollës mbyllet dhe nuk hapet më deri në përfundim të procesit mësimor. Në rast se nxënësi del nga shkolla nuk lejohet të hyjë më, dhe lëvizja e nxënësve lejohet vetëm brenda territorit të shkollës.

Nuk do të lejohet dalja nga klasa e nxënësve vetëm në rastet kur duhet të shkojnë në tualet. Në korridore ata duhet të mbajnë distancë 1.5 metra teksa nuk lejohen aktivitetet me më shumë se 10 veta në ambientet jashtë. Të gjithë nxënësit që thyejnë masat ndaj COVID-19 brenda institucioneve arsimore parauniversitare do të ndëshkohen me masë disiplinore.

Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar fillon më 14 shtator, teksa opozita akuzoi qeverinë përgjatë ditëve të kaluara për mungesën e një plani konkret se si do të bëhet hapja e shkollave në kushte pandemie duke i kërkuar që të bëjë udhëzuesin publik në mësuesit, nxënësit dhe prindërit.