Fluturimet me Shqipërinë; Italia paralajmëron: ‘Merrni masa, ose bllokohen fluturimet’

Së fundmi, në rajonin e Toskanës në Itali u regjistruan 16 raste të reja me Covid-19 të shpërndara në Firence, Arezzo dhe Massa Carrara, nga të cilat 13 prej të infektuarve janë raste të importuara nga Shqipëria. Përhapjet me origjinë të huaj po shqetësojnë rajonin, i cili gjatë ditëve të fundit ka marrë masa për të gjurmuar pasagjerët që mbërrijnë në Toskanë, por tashmë kërkon edhe nga qeveria të dhëna dhe masa shtesë.

Guvernatori Enrico Rossi është i shqetësuar dhe shprehet se “qeveria duhet të ndërhyjë” përndryshe, nëse gjurmimi i pasagjerëve nuk bëhet në mënyrë aktive, “do të ketë vetëm një zgjidhje: bllokim direkt të fluturimeve”. Guvernatori kërkoi nga vendet e tjera që t’u përcjellin informacionin e nevojshëm shtetasve të tyre në lidhje me detyrimin për të qëndruar 14 ditë në karantinë pasi shkelin në Itali.

Në Piza apo Firence janë ngritur pika kontrolli për të mbikqyrur udhëtarët, por ka një problem që po shqetëson autoritetet vendase. Udhëtarët që shkojnë në Itali nga Shqipëria dhe nga çdo vend tjetër jo pjesë e zonës Shengen, mund të zbarkojnë në aeroporte të tjera të Italisë dhe të lëvizin lirshëm drejt Toskanës.

Në javën e fundit, në Toskanë ka pasur 52 raste të reja dhe nga këto 31 janë me origjinë të huaj, nga të cilat 27 janë vetëm nga Shqipëria. Rossi thotë se për të penguar çdo shpërthim, është gjithashtu thelbësore të njihen të dhënat e atyre që zbarkuan në Itali përpara shpërthimit të rasteve të reja.

Burimi: Today.it