Fjalim reflektues mbi veten, dëshirat dhe identitetin tonë… “Bëhu heroi i vetes tënde!”

Kur isha 15 vjeç, një mësues na pyeti në klasë: “Kush është heroi juaj?”. Të gjithë filluan të përmendnin prindërit e tyre, ndërkohë unë thashë: “Heroi im është vetja ime pas 10 vitesh”. Doja të tregoja se për 10 vite, unë do të përpiqesha të bëhesha personi që kam dashur përherë të jem.

Kur u bëra 25 vjeç, ia bëra vetes pyetjen nëse isha tashmë heroi që kisha dashur të isha më parë. Nuk isha. Ndaj, vendosa të bëhesha i tillë pas 10 vitesh… Jeta nuk është e lehtë dhe mos u përpiq më kot të mendosh se është e tillë. Ajo nuk është as e drejtë me ne, nuk ka qenë dhe nuk ka për të qenë ndonjëherë. Është mirë ta bindësh veten për këtë gjë, si dhe të mos sillesh sikur të ishe një viĸtimë.

Ai që ti nuk je, është po aq i rëndësishëm sa ai që ti je. Hapi i parë drejt kërkimit të identitetit tënd në jetë, nuk është të kuptosh se kush je në të vërtetë. Hapi i parë është të jesh i vetëdijshëm se kush nuk je. Duke e përkufizuar veten tonë nisur nga personi që nuk jemi, është hapi i parë drejt të njohurit të personit që ne jemi. I keni parasysh ata miqtë që ju lënë në baltë e kurrë nuk do të jenë aty për ju? Po atë ekranin e kompjuterit që na mban të mbërthyer në shtëpi e nuk na lejon të dalim prej shtëpisë?

Po ato ushqimet e shpejta që duken aq të shijshme, por që na bëjnë të shtojmë peshë e të ndihemi tepër të lodhur përgjatë gjithë javës? Mjaft u dhe kohë dhe energji atyre “miqve”, atij kompjuteri, atyre ushqimeve. Vetëm nëse i lë ato mënjanë, do të mund të shpenzosh kohë dhe energji në aspektet më të shëndetshme dhe më të leverdisshme për ty.

Kjo do të ndodhë sepse do të eliminosh ato gjëra që po të mbajnë larg identitetit tënd. Nëpërmjet këtij procesi eliminimi, do ta keni më të qartë të kuptoni atë që është vërtet e rëndësishme për ju. Është e vështirë të kuptosh se kush je në të vërtetë. Jepi vetes tënde pak pushim. Mos e mendo për pak çaste se kush nuk je, e do ta gjesh mjaft lehtë se kush do që të jesh. Përpiqu të jesh heroi i vetes tënde…

Matthew Mcconaughey