Fiori Dardha zbulon momentet e vështira nga jeta e saj: Sot është mami im e shtruar në një dhomë spitali…

Gazetarja e njohur, Fiori Dardha ka treguar shpesh herë se ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me mamanë e saj. Edhe në postimin e fundit ajo ka zbuluar disa nga momentet më delikate në jetën e saj, duke treguar se mamaja i ka qëndruar gjithmonë pranë, ashtu siç bën dhe ajo sot njësoj për të.

“Në adoleshencën time u sëmura një herë shumë rëndë dhe m’u desh të qëndroja rreth 1 muaj në spital. Mami im qëndroi pranë̈ meje ditë e natë. Nuk do e harroj kurrë̈ se si kërrusej në një karrige për të dremitur pak çaste gjatë natës dhe ashtu e mpirë, brofte menjëherë në këmbë sapo dëgjonte hapat e infermieres që vinte për të më ndërruar serumin. Ime më nuk e shprehu asnjëherë lodhjen, nuk u ankua kurrë, harroi veten për të më qëndruar mua pranë.

Kur rastiste të largohej për pak minuta nga dhoma ime, sepse i duhej të psoniste, ose të mbaronte ndonjë punë, pritja për mua ishte sfilitëse. Qëndroja me kokën e kthyer drejt derës dhe numëroja minutat… Kur ndodhte që “vonohej” më shumë se zakonisht, nëpër faqe më rridhnin lot të nxehtë dëshpërimi…. dhe pastaj vinte ai momenti kur ime më shfaqej në derë! Zemra më rrihte fort dhe sytë shkëlqenin nga gëzimi.

Mami ishte siguria ime! Ishte forca ime!

Sot, është mami e shtruar në një dhomë spitali dhe unë shoh të njëjtin shkëlqim (si i imi dikur) në sytë e saj kur më sheh tek dera. Sot, jam unë forca dhe siguria e saj! AJO është përherë shembull i sakrificës së një prindi për fëmijët e saj! Përgjithmonë me ty, mam’!

P.S: “Mos më bëj foto, se më kanë rënë flokët dhe nuk është ndonjë pamje e bukur për t’u memorizuar” – më tha tek tentoja t’i rrëmbeja një buzëqeshje.

Mami im nuk e kupton që në sytë e mi është më e bukura në bote! Zoti të bekoftë mama”, ka shkruar Dardha krah postimit të fundit ku shfaqet me mamanë e saj duke i dhuruar një puthje.

Ndjekësit dhe miqtë e Fiorit e kanë uruar për shërim të shpejtë për njeriun e saj më të shtrenjtë, duke theksuar se nëna mbetet dashuria më e madhe çdokujt.