Emërohet nënkryetari i ri i Bashkisë Elbasan. Një vlerë e shtuar për këtë institucion

Ervin Muço është n/kryetari i sapoemëruar i Bashkisë Elbasan. Emërimi në detyrë, sipas ligjit, është bërë nga kryetari i Bashkisë Elbasan z. Gledian Llatja. Z Muço është një emër i njohur në fushën e pedagogjisë dhe aktivist në shoqërinë civile.  Prej vitesh ai është pedagog në Universitetin e Elbasanit dhe ka drejtuar një sërë projektesh të zhvilluara nga organizata joqeveritare.

Me një cv të pasur dhe përvojë në angazhimet e tij me shoqërinë civile, z. Muço tashmë do të jetë një vlerë e shtuar për Bashkinë e Elbasanit, e cila përveç të tjerash, i kushton një vëmendje të veçantë marrëdhënieve të këtij institucioni me organizatat e shoqërisë civile, raporton elbasaniplus.

Z. Muço ka përfunduar studimet për Shkenca Sociale si dhe ka kryer masterin pasuniversitar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Gjithashtu është autor i librave universitarë me titull “Qasje ndaj Problemeve Sociale” si dhe “Lufta për pushtet dhe pushteti i luftës”

Ervin Muço

Ai ka përfunduar me sukses doktoraturën në fushën e trafikimit të qënieve njerëzore: “Perceptimet dhe qëndrimet mbi trafikimin njerëzor, marrëdhëniet midis shoqërisë, institucioneve dhe viĸtimave të trafikimit njerëzor”, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale.