Elbasani qyteti i luleve, Llatja: Më shumë gjelbërim dhe parqe për qytetarët

E kanë quajtur qyteti i luleve. Dhe e ka merituar këtë emërtim, edhe pse në regjimin totalitar kopshtet, bahçet dhe oborret e gjera plotë lehe lulesh u ngushtuan për t’i hapur udhë shesheve të ndërtimit në Elbasan.

Në ata oborre të ngushtë përreth shtëpive dollmollije elbasanase nuset e reja, gratë, të moshuarit, por edhe burrat mbillnin me kujdes lehe të tëra lulesh me ngjyra të ndezura dhe erëmira.

Në portat e moçme kacaviren dorëzonjat që kundërmojnë tërë rrugicën. Në shtretër vendin kryesor e zë lajmëtarja e pranverës, manushaqja ose, siç i thërrasnin në Elbasan, meneksheja. Të përhershme në këto lehe janë lulekumonat, luledelet, gojasllanët, lulebukrat, aty-këtu shebojat dhe, mbi të gjithë karafilat e të gjitha ngjyrave.

Ka mes tyre lajmëtarë të pranverës, shoqëruese të verës dhe përcjellëse të vjeshtës së vonë. Në qytetin e Elbasanit në këtë stinë pranvere mbi të gjitha lulet e luleve qëndrojnë trëndafilat karakteristikë me shtatë zemra që çelin disa herë në vit.

Duket e çuditshme, por lule gjen në çdo pranverë edhe në muret e kalasë së moçme. Duket se atje e ndiejnë veten si elbasanas të moçëm gojasllanat.

Është kënaqësi të kalosh këto ditë të pranverës përgjatë qytetit të Elbasanit. Ngado të shoqëron një lulëzim në shpërthim të plotë, të mbushin mushkëritë aromat e këndshme të aq e aq luleve, që i shpëtuan përfundimisht tymrave helmues së metalurgjisë së dikurshme.

Puna vullnetare e iniciuar së fundmi për pastrimin e qytetit në kuadër Planin Kombëtar të Pastrimit, investimet në infrastrukturë në shumë lagje, janë shoqëruar edhe mbjelljen e shumë luleve dhe pemëve dekorative, duke i dhënë kështu qytetit një pamje ndryshe.

Janë të shumtë miniparqet në qytet, ku nën kujdesin e veçantë edhe të kryetarit të bashkisë Gledian Llatja, i është dhënë një rëndësi mirëmbajtjes, kryesisht në këtë stinë të bukur pranvere ku edhe çelin lulet. Edhe përgjatë bulevardit të qytetit, manushaqet, pemët dekorative me lule të bardha dhe të kuqe, të presin me fisnikëri ti shijosh.

“Më shumë gjelbëri, më shumë parqe, më shumë stola shplodhës, më shumë ambiente argëtuese për fëmijët me qëllim që qytetit tonë t’i japim pamjen që meriton”, pohon kryetari i bashkisë Gledian Llatja.

Lulishtja “Aqif Pasha”, parku “Rinia” janë të tjera parqe që të ofrojnë jo vetëm çlodhje fizike, por edhe kënaqësinë e luleve që kanë filluar të mbijnë në çdo cep, aty ku ka bar.

“Të gjitha janë projekte të realizuar që shihen me sy, por shumë projekte të tjera

do të vihen në zbatim, do ta bëjnë Elbasanin një qytet atraktiv dhe lehtësisht të vizitueshëm për turistët dhe jo vetëm”, pohon Llatja.atsh

Nje koment

  1. Pingback: 2leonine