Elbasani në festë, qyteti ka hapur dyert për të gjithë

Në Elbasan, festa e pranverës nuk fillon vetëm më 14 mars. Ajo nis shumë më herët, duke e kthyer qytetin për disa ditë rresht në një skenë të madhe aktivitetesh kulturore, artistike dhe festive. Këtë vit, atmosfera e Ditës së Verës ka nisur që më 9 mars, duke sjellë çdo mbrëmje gjallëri në sheshe, rrugë dhe ambiente publike të qytetit.
Qyteti është ndriçuar nga dritat e skenave festive, ndërsa muzika dhe zërat e të rinjve kanë mbushur shëtitoret. Çdo mbrëmje ka sjellë një aktivitet të ri, koncerte, performanca artistike, aktivitete për fëmijë, panaire dhe programe kulturore që kanë tërhequr qytetarë dhe vizitorë të shumtë.
I veçanta e këtyre festimeve është se ato nuk përqendrohen vetëm në një ditë, por shtrihen në disa ditë rresht, duke i dhënë qytetit një ritëm të pandërprerë feste. Familje të tëra dalin në shëtitore, fëmijët mbushin hapësirat e dedikuara për lojëra, ndërsa të rinjtë bëhen pjesë e koncerteve dhe aktiviteteve artistike që zgjasin deri në orët e vona të mbrëmjes.
Panairet me produkte tradicionale dhe artizanale kanë sjellë një tjetër ngjyrë në qytet. Në stendat e vendosura përgjatë shëtitores, vizitorët kanë mundur të shijojnë ëmbëlsirat tradicionale, ndër të cilat nuk mungon simboli i kësaj feste, ballokumja, e përgatitur sipas traditës së hershme elbasanase.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, pohon se aktivitetet festive do të jenë të shumta gjatë gjithë javës, me këngëtarët më të njohur të Shqipërisë që do të ngjiten në skenat e qytetit. Ai thekson gjithashtu se të gjitha hotelet në Elbasan, përfshirë edhe ato në Gjinar e në Llixha janë tashmë të prenotuara, duke e kthyer qytetin në një qendër feste dhe shijimesh të larmishme për vizitorët.
Netët e festës kanë qenë gjithashtu një mundësi për të promovuar kulturën dhe traditën e qytetit. Grupet artistike, këngëtarët dhe formacionet muzikore kanë sjellë performanca që kanë bashkuar breza të ndryshëm rreth muzikës dhe vallëzimit.
I gjithë ky program i pasur aktivitetesh është organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, me synimin për ta kthyer qytetin në një destinacion festiv gjatë gjithë këtyre ditëve të pranverës. Përmes këtij programi, Bashkia ka synuar jo vetëm ruajtjen e traditës së Ditës së Verës, por edhe gjallërimin e jetës kulturore dhe turistike të qytetit.
Dhe ndërsa çdo mbrëmje sjell aktivitete të reja, atmosfera festive kulmon në pragun e 14 marsit, kur Elbasani mbushet me vizitorë nga e gjithë Shqipëria për të përjetuar nga afër festën që prej shekujsh identifikohet me këtë qytet.
Në këto ditë, Elbasani duket sikur jeton në një ritëm tjetër. Rrugët janë më të mbushura, buzëqeshjet më të shumta dhe muzika nuk pushon. Është periudha kur qyteti hap dyert për të gjithë dhe kur pranvera festohet me një energji që vetëm Elbasani di ta krijojë.